30- vjeçarja Merushe Hazizi, kishte vetëm 10 ditë që jetonte në Vidhisht, në një banesë të re e cila kishte të njëjtin oborr me banesën ku jetonte vjehrri i saj Xhevahiri.

Fqinjët tregojnë se ajo qëndronte  e mbyllur nga frika dhe dilte nga banesa vetëm kur vinte I shoqi, Fatjoni. Edhe mesditën e së martës ajo ishte në dhomën e gjumit kur I vjehrri Xhevahiri hapi me dhunë derën dhe e vrau në korridorin e shtëpisë.

Megjithëse kanë kaluar disa ditë nga krimi që tronditi Roskovecin ku vjehrri vrau nusen e më pas veten, gjurmët e kësaj ngjarje të rëndë janë ende të dukshme në fshatin Suk, ku jeton familja e Merushes.  Në kushte të vështira ekonomike, në banesën që ndodhet pas krahëve të mi jetojnë 3 fëmijët e saj të cilët janë pa nënë dhe me një baba që akoma I mohon. Për ta kujdeset vetëm gjyshi I cili punon në bujqësi.

Sadushi, babai i Merushes, mban të hapura dyert e shtëpisë për të pritur ngushëllime për të bijën që ndërroi jetë nga dora e të vjehrrit, I cili e masakroi me thikë pasi nuk e pranonte si nusen e djalit. Në dorë gjatë gjithë ditës mban pasaportën e saj, dhe fotografia është i vetmi ngushëllim.

 “Vajzën nuk ma vrau Xhevahiri, por Fatjoni. La gruan e parë për vajzën time. Më tha e dua. I thashë nëse nuk shkoni mirë ma sill vajzën në shtëpi. Ma çoi vajzën në atë shtëpi për të ma vrarë. Fëmijët e Merushes I kam mbaj unë dhe do ti mbaj unë. Djali I vogël ka lindur tek unë”, tha Sadush Hazizi, babai i viktimës.

Motivet e këtij refuzimi të nuses nga autori I vrasjes Xhevahiri, nuk I di as Qerimja e vjehrra e cila ishte e para që konstatoi krimin e rëndë.

 “Nuk e donte ai këtu. E gjeti vetëm dhe e vrau. Kur nuk ishte burri ne flisnim me njëra tjetrën. Kur ishte ai mua nuk më lejonte ti flisja”, tha  vjehrra e viktimës, Qerime Hoxha.

Në shtëpinë ku ndodhi krimi i përgjakshëm ka rënë heshtja. Gjurmët e gjakut ishin larë dhe familja Hoxha vijonte punët e bujqësisë. Por kujtimet dhe pikëpyetjet e këtij krimi të rëndë, do të mbesin akoma për një kohë të gjatë.

Top Channel