Bashkimin Europian dënon ashpër sulmin ndaj policisë së Kosovës në veri

15/04/2022 17:05

Bashkimi Evropian në Kosovë ka dënuar ashpër sulmin e dhunshëm ndaj patrullës së Policisë Kufitare të Kosovës në komunën e Zubin Potokut mëngjesin e sotëm.

“Policia e Kosovës është ofruesi kryesor i sigurisë dhe çdo përdorim i forcës kundër policëve të saj është i papranueshëm”, thuhet në reagimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Katër sulme të sinkronizuara kanë ndodhur ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit në tri ditët e fundit. I fundit ka qenë mëngjesin e sotëm ku patrullat policore janë sulmuar me granatë dore dhe kallashnikov AK 47, mirëpo falë mjeteve të blinduara nuk ka pasur policë të lënduar. Sulmet nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti u quajtën terroriste.

Ndërkohë që karshi këtyre sulmeve ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili i ka bërë thirrje Serbisë që të distancohet nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj Policisë së Kosovës, për të cilat tha se janë identifikuar të kenë ardhur nga territori i Serbisë.

Sulmet janë kryer në Zubin Potok në komunat veriore të Kosovës, në kufi me Serbinë. Para disa muajsh, policia ka mbyllur disa rrugë ilegale në këtë zonë.

Zyrtarë të policisë së Kosovës janë sulmuar me kallashnikovë e granata dore mëngjesin e sotëm, një incident ky që rikthen hijen e tensioneve në një zonë të vendit të prirur drejt tyre.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pohoi në një konferencë për shtyp se ky është sulmi i katërt gjatë tre ditëve te fundit. Ai tha se efektivët janë sulmuar në kohën kur po ndërronin turnin. “Në veri rreth orës 7 e 20 ka ndodh një sulm ndaj Policisë së Kosovës, punonjësit e së cilës po shkonin për të kryer ndërrimin ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm tashmë i faktuar me granatë dore dhe AK47 si një akt terrorist ka qenë i qëllimshëm dhe shënjestronte zyrtarët policorë dhe gjithë qytetarëve të Kosovës”, është shprehur ai.

Mendohet se janë grupe të ndryshme ato që kanë ndërmarrë gjatë këtyre tre ditëve katër sulme në atë zonë.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel