Ornaldo: Lul, e kemi nga ty! Deputeti Rakipi mbron babain: Vendimin do ta apelojmë

14/04/2022 19:37

Deputeti Socialist Ornaldo Rakipi i vendosur në qendër të akuzave pas sanksionit nga Departamenti i Thesarit Amerikan, të babait, ish-deputetit të PDIU-së, Aqif Rakipi sqaroi pozicionin e tij nga foltorja e parlamentit.

Deputeti 27-vjeçar deklaroi se babai po ndërmerr çdo hap institucional dhe ligjor, për të çuar në vend atë që e quajti një  padrejtësi.

Ne sigurisht e vlerësojmë administratën amerikane, dhe vendimi i tyre e ka dhënë vetë mundësinë e apelimit. Procedurë që tashmë është në rrugë e sipër”.

Ornaldo Rakipi më shumë se sa i  shqetësuar për vendimin e SHBA, u kujdes të tregonte qarte se kush ndihmoi që  babai i tij të sanksionohej.

Kam një fjalë për Lulzim Bashën. Mos mallko suksesin e tjetrit, por mëso se në thelb politika është marrëdhënia me njerëzit. Dhe pikërisht kjo është arsyeja e dështimit tënd serial, është kjo arsyeja pse ti, edhe pse të janë dhënë shanset më të mëdha që i janë dhënë dikujt në këto 30 vite, nuk arrite të fitosh zemrat dhe besimin e njerëzve. Sepse në thelb je fallco, dhe sheh vetëm interesin tënd egoist e material”.

Pas Sali Berishës, Ornaldo Rakipi bëhet i dyti politikan që fajëson, pa paraqitur ndonjë provë konkrete,  Lulzim Bashën si kontribuues direkt ose indirekt, në vendimet DASH për shpalljet  ‘non grata’ apo edhe ato më të fundit të vendosjes së sanksioneve ekonomike.

Top Channel