Sanksionet e SHBA ndaj Aqif Rakipit, i biri deputet flet në Kuvend: Po ndjek hapat institucionalë. Një fjalë për Lulzim Bashën

14/04/2022 17:32

Aqif Rakipi ish deputeti i sanksionuar nga SHBA, po ndjek hapat institucionalë kundër vendimit të Departamentit Amerikan të Thesarit. Lajmi u konfirmua në parlament nga i biri deputet Orlando Rakipi, i cili ndër të tjera hodhi akuza ndaj ish kryedemokratit Lulzim Basha.

Sipas tij, Aqif Rakipi është përmendur, përgojuar dhe hedhur baltë nga Basha dhe personat e afërt me të.

“Unë jam votuar dhe kam marrë besimin e mijëra qytetarëve të qarkut të Tiranës, për t’i përfaqësuar dhe për të qënë zëri i shqetësimeve dhe halleve të tyre. Nuk ka detyrim më të madh për mua se sa ky. Dhe kam ndërmend që me gjithë fuqinë time, ta justifikoj këtë besim kaq bujar.
Po sot, jo për zgjedhjen time, më duhet të them dy fjalë për babain tim. Dua të sqaroj fillimisht qytetarët, votuesit e mi, se sa i takon aktit të Departamentit të Thesarit, im atë po ndërmerr çdo hap institucional dhe ligjor, për të çuar në vend këtë padrejtësi. Ne sigurisht e vlerësojmë administratën amerikane, dhe vendimi i tyre e ka dhënë vetë mundësinë e apelimit. Procedurë që tashmë është në rrugë e sipër. Aqif Rakipi është përmendur dhe përgojuar shpesh kohët e fundit, sidomos nga Lulzim Basha dhe ndonjë njeri i afërt me të. Eshtë demonizuar pa të drejtë dhe është hedhur shumë baltë mbi të”, tha deputeti.

Ai i është drejtuar Lulzim Bashës me fjalët: Mos mallko suksesin e tjetrit, por mëso se në thelb politika është marrëdhënia me njerëzit. Dhe pikërisht kjo është arsyeja e dështimit tënd serial, është kjo arsyeja pse ti, edhe pse të janë dhënë shanset më të mëdha që i janë dhënë dikujt në këto 30 vite, nuk arrite të fitosh zemrat dhe besimin e njerëzve. Sepse në thelb je falso, dhe sheh vetëm interesin tënd egoist e material. Suksesi vjen kur i konsideron njerëzit, i takon, i sheh në sy, u qan hallet, dhe përpiqesh për ta. Kur u gjendesh atyre në ditë të vështira. Kur gjejnë tek t’i mbështetje kur kanë një problem, kur përplasen në dyert e spitaleve, kur përplasen me arrogancën e institucioneve, kur nuk i dëgjon kush.
Babai im bëhet copash për të ndihmuar çdo njeri në nevojë.
Ndryshe, po shumë ndryshe nga ti, babai im ka një cilësi që shqiptarët e duan, që quhet burrni.
Eshtë kjo arsyeja pse ai është votuar. Eshtë kjo arsyeja pse unë kam marrë mbështetje. Kjo është vlerë dhe në këtë pikë do të mundohem me gjithë forcën time të ndjek këtë rrugë. Me njerëzit për njerëzit.

Deputeti  gjithashtu u shpreh se të gjithë janë të lirë të hetojnë për aktivitetin e tij që nga dita e parë e angazhimit në politikë.

“Sa për akuzat, unë ju ftoj ju, median dhe çdo njeri që është sot i shqetësuar, të hetojë, të hulumtojë çdo ditë të aktivitetit tim, që prej momentit të parë të angazhimit, deri sot dhe në vijim. Por qytetarët, njerëzit i dinë mirë këto. Dhe nuk do të humb më asnjë sekondë me politikën e keqe të gojëve të liga. Jam këtu për të shërbyer e për të justifikuar besimin që më është dhënë nga rreth 16 mijë qytetarë.
Këtë do të bëj çdo ditë të angazhimit tim në politikë”, mbylli fjalën Rakipi.

Kujtojmë se disa ditë më parë SHBA-të vendosën sanksione të ashpra ekonomike ndaj ish-deputetit socialist Aqif Rakipi dhe biznesmenit Ylli Ndroqi.

Në letrën e bërë publike nga Departamenti amerikan i Thesarit, ata akuzohen për përfshirje në veprimtari kriminale. Lista e Departamentit të Shtetit ishte e gjatë ku përfshiheshin edhe pesë zyrtarë të tjerë.

Ish-kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski dhe ish-drejtori i Departamentit për Siguri dhe Kundërzbulimit (UBK) Sasho Mijalkov dhe ish-kryeprokurorja e Prokurorisë së Shtetit në Bosnje Hercegovinë, Gordana Tadiç janë në të dyja listat, edhe ‘non grata’ nga Departamenti i Shtetit, edhe  të sanksionuar ekonomikisht nga Departamenti i Thesarit.

Gjithashtu u sanksionuan Asim Sarajliçdeputet në parlamentin e Bosnje dhe Hercegovinës dhe Svetozar Maroviç,politikan malazez që shërbeu si kreu i fundit i qeverisë së Serbisë dhe Malit të Zi nga viti 2003 deri në shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi në 2006.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA