Prej dy vitesh Arben Muça nga Thumana e Krujës ka humbur dy shtëpi  banimi nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Ndërsa ai ka plotësuar një “ mal” me dokumente, duke i dërguar Njësisë Bashkiake dhe Bashkisë Krujë, për të përfituar bonusin e qirasë dhe shtëpi, por akoma nuk ka përfituar asnjërën nga këto, pavarësisht se në bazë të dokumenteve që disponon ligjërisht i përfiton. Drejtuesit e Njësisë Vendore Thumanë dhe drejtuesit e Bashkisë Krujë duket se nuk janë në sinkron me njëri-tjetrin.

Arbenit  tregon për Fiks Fare  se është banor i fshatit Kodër Thumanë  të Bashkia Krujë. Në njërën shtëpi kanë pas jetuar motra dhe nëna të cilat nuk jetojnë më dhe më pas ka marrë një stallë delesh të cilën e ka rregulluar për ta bërë të banueshme. “Nga viti që e kam marr e deri tani puno e rindërto. Një vit para tërmetit mora kredi për të rregulluar banesën e pallatit për të hyrë brenda. Ndodhi tërmeti dhe më marrin në telefon komshinjtë dhe ma thanë hajde se po të shembin shtëpinë, hyrjen e pallatit.

Ishin aty inspektorët e zonës, IKMT, kryetarja e njësisë dhe punonjësit e komunës dhe më thanë largohu se shtëpinë siç e ke do ta marrësh dy plus një rri pa merak. Bëra aplikimin më ra RDS 5 për përfitim banese. U hodh shorteu, vajta për shtëpinë dhe më thanë t’i nuk ke pas shtëpi këtu. Ju thashë po këto letra i kam bërë falso? Jo më thanë t’i nuk përfiton.

Jam me një mur tek të ndarë me komshiun, atij i kanë dhënë banesë të re ndërsa mua jo” ankohet Arbeni.  Ai tregon se edhe për banesën e dytë i thanë që do të shembet pasi urdhri kishte ardhur nga Instituti i Ndërtimit pas ekspertizës së bërë . dhe e kishin cilësuar si të pa banueshme . Pas denoncimit z. Muça takoi edhe kryetaren e Njësisë Bashkiake Thumanë, znj.Shqipe Çenja e cila u shpreh se  edhe banesa e dytë  sipas Institutit të Ndërtimit ka dalë RDS 4 dhe do të shembej.

Sipas pikës 20 të VKM 124 parashikohet që në qoftë se përfituesit nuk përfitojnë nga një program i rindërtimit , njësia e qeverisjes vendore do të marrë  masa të përfitojë në një program tjetër rindërtimi. Ndërsa në përgjigjen zyrtare që i japin Arben Muçës shprehet se ai “është trajtuar me bonus qiraje”, por vetë ankuesi shprehet se nuk ka marrë asnjëherë bonus qiraje.

“Vajta tre ditë rresht në Krujë” vijon Muça “për të takuar kryetarin e bashkisë por nuk më takoi.Takova sekretarin e bashkisë Florind Cerhozi të cilit i tregova se I isha drejtuar kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Rindërtimit Arben Ahmetaj, Avokatit të  Popullit dhe bashkisë me peticion dhe  më tha se këtë punë nuk ta zgjidh as kryeministri, as Ahmetaj dhe as Donald Trump.

Këto probleme është shprehur sekretari i bashkisë i përkasin  vetëm Bashkisë Krujë. Sipas tij për të marrë bonusin e qirasë  Arbeni duhet të aplikojë sërish, ndërsa nuk mund të përfitojë dy shtëpi por vetëm një pasi ashtu e parashikon ligji. ” Ligji kështu e ka, kur janë dy aplikime përfiton vetëm një, nuk do futemi në burg tani” shprehet sekretari Bashkisë Krujë ndërkohë që i pohon se bonusi i qirasë i takon.

Gjatë bisedës me Arbenin sekretari pranon se kanë marrë shtëpi të reja edhe personat që kanë pasur vila apo shtëpi në Tiranë, por sipas tij këto shtëpi jua ka dhënë qeveria.

Top Channel