Deputeti Gazment Bardhi dhe anëtari i Komisionit të Rithemelimit Eno Bozdo janë përfshirë në debate të ashpra me njëri-tjetrin këtë mbrëmje në Top Story.
Bardhi: Ke vuajtur shumë ke derdhur shumë djersë, po je raskapitur për demokratët. Un kam kaluar net pa gjumë qëkur u bëra pjesë e PD-së.
Bozdo: E hoqët Saliun se ju tha Amerika.
Bardhi: Nuk e hoqa unë, nuk ndryshoj version unë, është e pavërtetë.
PD-ja ndodhet ende në një krizë edhe pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, pasi Grupi i Rithemelimit akuzon Alibeajn si vijues të lojës së Edi Ramës dhe Bashës për të përçarë PD-në.
Nga ana tjetër, Alibeaj nuk pranoi që Berisha të ishte pjesë e mbledhjes së Grupit Parlamentar të partisë, por ky i fundit nuk e zbatoi urdhrin dhe u bë pjesë e tavolinës në selinë blu.
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së të thirrur nga kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj të martën u shoqërua me debate mes mbështetësve të Berishës dhe Alibeajt. Berisha gjithashtu i kërkoi Alibeajt që të jepte dorëheqjen duke u shprehur për mediat se do ta ndjekë fati i Bashës.
Në mbledhje nuk mori pjesë ish-kryedemokrati Lulzim Basha, si edhe deputetët Agron Gjekmarkaj, Grida Duma, Alfred Rrushaj, Flutura Açka, Belind Kelliçi, Dash Sula, Ferdinand Xhaferri, Bujar Leskaj dhe Agron Shehaj.
Top Channel