Dy ditë pasi qeveria amerikane sanksionoi ish deputetin Aqif Rakipi dhe pronarin e RTV Ora News Ylli Ndroqi për korrupsion e lidhje me krimin e organizuar, Shqipëria merr një tjetër karton të verdhe amerikan.
Raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut rendit një katalog me probleme për vendin tonë duke e vënë theksin edhe njëherë tjetër tek gangrena e korrupsionit. Ambasada Amerikane në Tiranë, duke komentuar këtë raport thotë:
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për të vënë demokracinë dhe të drejtat e njeriut në qendër të politikës sonë të jashtme. Siç vërehet në raportin mbi Shqipërinë të drejtat e njeriut duhet të përfshijnë një gjyqësor të pavarur, të lirë nga presioni politik, frikësimi apo korrupsioni. SHBA mbështet me forcë reformën në drejtësi për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, për llogaridhënie të zyrtarëve të korruptuar, krimit të organizuar dhe forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri.
Ky raport për vitin që lamë pas vëren se “problemet me pavarësinë e gjyqësorit ndërsa vazhdonte procesi i vetingut, kufizimet e lirisë së shprehjes dhe shtypit; dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe institucionet lokale”.
“Mosndëshkimi thuhet në raportin e DASH, mbeti një problem, megjithëse Organi i Specializuar për Antikorrupsionin dhe gjykatat antikorrupsion bënë përparim të rëndësishëm gjatë vitit në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar”.
Raporti kritikon qeverinë kur thotë se :
“Qeveria nuk e zbatoi në mënyrë efektive legjislacionin që parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët publikë dhe ndalon individët me dënime penale të shërbejnë si kryetarë bashkie, deputetë ose në poste qeveritare ose shtetërore”.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken duke komentuar në tërësi këtë raport foli me tone shqetësuese, duke deklaruar se “kthimi pas për respektimin e të drejtave të njeriut fatkeqësisht vazhdon”.
Top Channel