Në Komisionin e Financave, deputetja e PD Jorida Tabaku theksoi se Autoriteti i Konkurrencës nuk ka bërë hetime për rritjen e produkteve ushqimore dhe shportës së konsumit.
“Nuk mund të hetohet Play Station 5 dhe shitja e tij”, evidentoi Tabaku, “ndërsa në Shqipëri ka shqetësime shumë herë më të mëdha për qytetarët. Çmimi i vajit ka shkuar 321 lekë ndërkohë që ushqimet janë rritur me nga 50 apo 60 lekë për kilogram. Kjo rritje nga se vjen?! Sa është indikimi i monopoleve?! Qytetarët kanë nevojë të marrin përgjigje dhe mbi të gjitha tregu ka nevojë të lirohet nga monopolet dhe të shkojë drejt konkurencës”.
Ndër të tjera, Tabaku tha se Autoriteti i Konkurrencës është një institucion i rëndësishëm i cili ka vëmendjen e Bashkimit Europian, ndaj duhet të jetë më aktiv në kontrollin paraprak të PPP dhe të drejtave ekskluzive që atyre mund ti jepen dhe në kontrollin e përputhshmërisë me parimet e konkurrencës të të gjithë instrumenteve ligjore të përdorura për koncesionet.
Më tej anëtarja e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave iu drejtua Denar Bibës duke i sjellë në vëmendje një hetim të nisur prej tij për hidrokarburet.
“Dua të kem informacion në lidhje me detyrimet e Bankers Petrolium. Gjithashtu kemi nevojë si komision të kuptojmë tregun e hidrokarbureve dhe përse çmimet rriten në Shqipëri kur në bursë nuk rriten? Ne kemi pasur një raport nga Autoriteti Konkurrencës në 2015 në lidhje me tregun e hidrokarbureve. Dua të kemi informacion se çfarë po bëhet me këtë raport?”
Top Channel