Rritja e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë përveç kredive të qytetarëve do të shtrenjtojë edhe borxhin e qeverisë.

Vendi ynë ndodhet në një situatë delikate sa i përket borxhit publik pasi ai ka arritur në masën 78.15% në krahasim me Prodhimin e Brendshëm, nga vlerësimet e fundit të Ministrisë së Financave.

39.7% e këtij borxhi është marrë nga tregjet e brendshme dhe ankandet e fundit të zhvilluara nga Banka e Shqipërisë po tregojnë se normat e interesit po rriten, gjë e cila sinjalizon se vendi ynë do të paguajë më shumë për interesat e borxhit këtë vit.

Vitin e kaluar, vendi ka paguar gati 35.8 miliardë lekë (300 milionë euro) për interesa borxhi, shumë kjo sa 2% e PBB-së, shuma më e lartë e paguar që nga viti 2018.

Pagesa për shërbimet e borxhit do të thotë që qeveria do të ketë më pak hapësira fiskale për të kryer investime kapitale, si kopshte çerdhe apo rrugë, apo për të financuar qytetarët gjatë kësaj krize çmimesh.

Për rrezikun e financimit të Borxhit ka ngritur vërejtje edhe Banka Botërore

“Në nivelin aktual, borxhi i lartë i qeverisë është në rrezik të konsiderueshëm rifinancimi. Bilanci fiskal mund të përkeqësohet më tej, nëse mjedisi ndërkombëtar do të jetë i pafavorshëm, duke e detyruar qeverinë të shkurtojë shpenzimet kapitale për të parandaluar një rritje të raportit të borxhit ndaj PBB-së, paralajmëron banka.

Ministria e Financave ka planifikuar të marrë shuma rekord borxhi nga tregu i brendshëm në 6 muajt e parë të vitit, para që kryesisht do të shkojnë për rifinancimin e borxheve të vjetra dhe për mbulimin e deficitit buxhetor. Strategjia që po ndjek qeveria në këtë rast është marrja e borxheve afatgjata, në mënyrë që të shtyjë periudhën e pagimit të menjëhershëm të tyre.

Top Channel