Ndasitë në komunën e Preshevës u shfaqën qartë pas shkarkimit të kryetares së saj, Ardita Sinani nga Kuvendi Komunal, një lëvizje kjo që sic thuhet erdhi si “pasojë e krizës institucionale dhe mosfunksionimit të pushtetit lokal”.
Sinani ishte zgjedhur në krye të Preshevës më 21 maj 2021, si pjesë e Partisë për Veprim Demokratik. Frerët e komunës tashmë i kaluan Shqiprim Arifit i cili pretendon se ministri i Mjedisit në Kosovë, Liburn Aliu për arsye subjektive kishte organizuar takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe ish-kryetaren e Preshevës, Ardita Sinanit, pikërisht në ditën kur po iniciohej shkarkimi i saj.
Një lëvizje e tillë, sipas Arifit, ishte organizuar në mënyrë që institucionet e Kosovës t’i bëheshin avokat mbrojtës Sinanit. “Aliu kishte njohje familjare me Sinanin ndaj dhe e ka kryer këtë veprim, për të cilin jam i bindur se Kurti nuk ka pasur njohuri në detaje. Besoj që i ka dhënë një këshillë të mirë” është shprehur ai. Madje edhe dështimin për të fituar një vend në parlamentin serb, ai e lidh me Sinanin.
“Partia e saj shkeli marrëveshjen e Tiranës duke percare kështu spektrin politik. Qytetarët kanë qenë të revoltuar, ndaj mbetëm pa përfaqësim në Kuvend.” u shpreh ai. Por fajin, edhe Sinani vetë e gjen tek pala tjetër. “Nuk përfillën as Shqipërinë dhe Kosovën. Populli nuk i deshi për deputet. U hakmorën ndaj meje. Eliminuan politikisht Shaip Kamberin nga parlamenti dhe më rrëzuan mua, realizuan skenarin”, ka shkruar ajo, ndërsa kërkoi që në Preshevë të mbahen zgjedhje të reja.
Top Channel