Ekspertiza e institutit zvicerian për vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari, ka arritur në Kosovë dhe në analizat toksikologjike zbulohet se në trupin e tij kishte vetëm kafeinë, jo etanol.

Po ashtu, ekspertiza e re thotë që nuk ka pasur ADN të tjera përveç asaj të Astrit Deharit në objektet që u gjetën pranë tij në momentin e vdekjes.

“Analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të ADN-së përveç atij të Astrit Deharit”, konstaton raporti i ekspertizës.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se do të vazhdojë hetimet.

“Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria Speciale do të vazhdojë me hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor të vitit 2016 në qendrën e paraburgimit në Prizren. Ai bashkë me disa aktivistë të tjerë të LVV-së po hetoheshin për organizim dhe kryerje të sulmit ndaj Kuvendit të Kosovës.

Që nga ajo kohë VV ka ngritur dyshime se Dehari është vrarë, ndërkohë që Prokuroria Themelore e Prizrenit konstatonte se ishte vetëvrasje e pastaj hetimet i mori në dorë Prokuroria Speciale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA