Deputeti socialist Erion Braçe e konsideron një proces pozitiv ‘pastrimin’ e Ballkanit Perëndimor nga figura të përfshira në krim dhe korrupsion.

I ftuar në emisionin Top Story nga Sokol Balla në Top Channel ai shprehet se do të ketë një koment më vonë nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së.

“Unë se shikoj si anë, është një proces i shpallur nga Biden shumë i qartë. Biden e ka shpallur si antikorrupsionin dhe korrupsionin si rrezik jo vetëm në Amerikë por edhe jashtë saj. Një proces shumë pozitiv që ndihmon demokracitë me probleme, siç janë në rajonin tonë apo Shqipëri. Nuk kam asnjë koment në lidhje me Departamentin e Thesarit. Do të jetë një koment të grupit parlamentar të partisë. Kreu do të ketë një qëndrim të qartë të të gjithë forumit. nëse doni të dini mendimin tim personal duhet të ketë një standard, atë do të kemi edhe për të fundit që do të sanksionohet në këtë proces“, tha Braçe.

Kujtojmë se këtë të hënë, SHBA-të kanë vendosur sanksione të ashpra ekonomike ndaj ish-deputetit socialist Aqif Rakipi dhe biznesmenit Ylli Ndroqi. Në letrën e bërë publike nga Departamenti amerikan i Thesarit, ata akuzohen për përfshirje në veprimtari kriminale.

Ndërsa ish-kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski dhe ish-drejtori i Departamentit për Siguri dhe Kundërzbulimit (UBK) Sasho Mijalkov dhe ish-kryeprokurorja e Prokurorisë së Shtetit në Bosnje Hercegovinë, Gordana Tadiç janë në të dyja listat, edhe ‘non grata’ nga Departamenti i Shtetit, edhe  të sanksionuar ekonomikisht nga Departamenti i Thesarit.

Gjithashtu u sanksionuan Asim Sarajlic, deputet në parlamentin e Bosnje dhe Hercegovinës dhe Svetozar Marovic,politikan malazez që shërbeu si kreu i fundit i qeverisë së Serbisë dhe Malit të Zi nga viti 2003 deri deri në shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi në 2006.

 

Top Channel