Sanksionet ndaj Rakipit dhe Ndroqit/ Gjikondi në Top Story: E majta i ka hapur dyert më shumë se sa e djathta

11/04/2022 21:35

Aktivistja Brizida Gjikondi e ftuar këtë mbrëmje në emisionin Top Story nga Sokol Balla në Top Channel tha se partia e majtë ”i ka hapur dyert” më shumë se sa e djathta, bazuar në sanksionet e vendosura nga SHBA-ja ndaj Aqif Rakipit dhe Ylli Ndroqit.

“Po ta shohësh në plan të gjerë prek të majtën, edhe zoti Ndroqi ka qenë më shumë në të majtë. Duhet të jemi realistë që e majta i ka hapur dyert më shumë se sa e djathta”, tha Gjikondi.

Kujtojmë se këtë të hënë, SHBA-të kanë vendosur sanksione të ashpra ekonomike ndaj ish-deputetit socialist Aqif Rakipi dhe biznesmenit Ylli Ndroqi. Në letrën e bërë publike nga Departamenti amerikan i Thesarit, ata akuzohen për përfshirje në veprimtari kriminale.

Ndërsa ish-kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski dhe ish-drejtori i Departamentit për Siguri dhe Kundërzbulimit (UBK) Sasho Mijalkov dhe ish-kryeprokurorja e Prokurorisë së Shtetit në Bosnje Hercegovinë, Gordana Tadiç janë në të dyja listat, edhe ‘non grata’ nga Departamenti i Shtetit, edhe  të sanksionuar ekonomikisht nga Departamenti i Thesarit.

Gjithashtu u sanksionuan Asim Sarajlic, deputet në parlamentin e Bosnje dhe Hercegovinës dhe Svetozar Marovic,politikan malazez që shërbeu si kreu i fundit i qeverisë së Serbisë dhe Malit të Zi nga viti 2003 deri deri në shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi në 2006.

Top Channel