Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka përplasur një fëmijë me makinë ditën e djeshme.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Vicianum” në Prishtinë rreth orës 12:25. Fëmija është dërguar në spital për të marrë trajtim mjekësor ndërsa rasti po trajtohet nga policia.
“AKSIDENT TRAFIKU ME LËNDIME /Rr. Vicianum, Prishtinë (NN) 10.04.2022 – 12:25. E dyshuara femër kosovare përderisa ishte duke drejtuar veturën, godet viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e policisë.
Kur aksidenti u raportua në media, ministrja Hajdari doli me një deklaratë me të cilën shkaktoi reagime publike duke thënë se “një fëmijë u përplas në veturën e saj”.
Përmes një postimi në Facebook ajo ka shkruar se i ka ofruar ndihmë fëmijës dhe ka njoftuar organet kompetente.
“Për hir të informimit te drejtë, sot në mesditë në rrugën Vicianum në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, gjersa po kthehesha me veturën time personale për në banesë, gjatë vozitjes sime, papritmas u shfaqën dy fëmijë në vrapim për të kaluar rrugën, ku fatkeqësisht njëri nga ta u përplas anash në veturën time.
Me shqetësim menjëherë kam reaguar, duke i ofruar ndihmë fëmijës dhe kam lajmëruar Policinë të cilët janë marrë me gjithë evidencën e rastit.
Ndihem më e lehtësuar, që pas ekzaminimeve mjekësore, fëmija nuk pësoi lëndime të rënda dhe është kthyer në shtëpi.
Fëmija i uroj shëndet e jetë të gjatë!”, thuhet në reagimin e saj.
Top Channel