Sanksionet ekonomike nga SHBA, Basha: Aqif Rakipi, një nga mekanizmat e masakrës zgjedhore

11/04/2022 18:04

Deputeti Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me vendimin e SHBA-së për vendosjen e sanksioneve të ashpra ekonomike ndaj ish deputetit Aqif Rakipin dhe biznesmenit Ylli Ndroqi.

“Aqif Rakipi është një nga mekanizmat e masakrës zgjedhore,ai ka blerë vota për llogari të Edi Ramës. Kanë tjetërsuar vullnetin e popullit. Diferenca mes Edi Ramës dhe opozitës ishte e barabartë me numrin e votave që mblodhi Rakipi, për të sjellë dy veta në Kuvend. Edi Rama ka sot të gjitha arsyet të ndihet i vetëm, sepse ka humbur një partner pa të cilën nuk mund të kishte ardhur në pushtet. Dua ta përshëndes vendimin e SHBA-së, dua t’i them çdo shqiptari që nuk jemi vetëm në betejën tonë që këtë parlament t’ia kthejmë qytetarëve që të kemi një qeveri që nuk është pjellë e korrupsionit, por një parlament që buron nga vota e lirë”, tha Basha.

Nisur nga deklarata e Bashës, gazetarja e Top Channel, Elda Menga e pyeti: Si do ia ktheni parlamentin popullit kur nuk jeni në krye të PD-së?

“Unë nuk fola vetëm për veten, beteja nuk është vetëm  e imja , kemi mbi 8 vite që jemi në këtë betejë. Unë flas në emër të të gjithë shqiptarëve. Ajo është nëpërkëmbur nga një grusht personash të cilët kanë rrëmbyer votat, kanë rrëmbyer parlamentin, qeverinë vendimmarjen, sot Shqipëria është në bisht në marrjen e masave në përballimin e situatës”, tha Basha.

“A jeni penduar qe keni dhënë dorëheqjen?”

“Nuk dua t’u jap askujt mundësinë të spekulojë. Vendimet e mia janë në funksion të ri-ngritjes së PD-së”, u shpreh Basha.

Në lidhje me çështjen nëse Basha po negocion me qeverinë, ai tha i prerë se nuk është një informacion i vërtetë.

Kujtojmë se këtë të hënë, SHBA-të kanë vendosur sanksione të ashpra ekonomike ndaj ish-deputetit socialist Aqif Rakipi dhe biznesmenit Ylli Ndroqi. Në letrën e bërë publike nga Departamenti amerikan i Thesarit, ata akuzohen për përfshirje në veprimtari kriminale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA