Lufta në Ukrainë, Steinmeier kërkon gjykatë për krime lufte për Putin dhe Lavrov

08/04/2022 16:15

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, tha se duhet të krijohet një gjykate për krime të luftës kundër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe kryediplomatit rus, Sergei Lavrov, teksa dëshmi të reja po dalin për mizoritë që pretendohet se janë kryer nga forcat ruse në Ukrainë.

Në një intervistë për revistën gjermane, Der Spiegel, të publikuar më 8 prill, Steinmeier tha se “kushdo që është përgjegjës për këto krime, duhet të japë shpjegime”.

“Kjo përfshin edhe ushtarët, komandantët e ushtrisë dhe natyrisht ata që kanë përgjegjësi politike”, tha ai.

Shumica e fokusit është përqendruar në krimet e pretenduara të luftës të kryera në Buça, qytet në afërsi të Kievit. Forcat ruse janë tërhequr nga qyteti më 1 prill dhe më pas janë publikuar pamje të civilëve të vrarë, disa prej të cilëve me duar të lidhura pas shpine, të shtrirë në rrugët e këtij qyteti. Banorët e Buças kanë thënë se kanë qenë dëshmitarë të vrasjeve brutale dhe torturave dhe po ashtu janë publikuar të dhëna për varreza masive.

Udhëheqësit ukrainas kanë thënë se zbulime të tilla do të bëhen sapo të rimarrin kontrollin e qyteteve të pushtuara nga forcat ruse.

Akuzat për mizoritë e kryera nga forcat ruse u rritën më 8 prill, pasi raketat ruse goditën një stacion treni në lindje të Ukrainës, duke vrarë të paktën 30 persona dhe plagosur mbi 100.

Rusia, që ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, vazhdimisht ka mohuar se shënjestron civilët, përkundër se janë publikuar prova të shumta që dëshmojnë të kundërtën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA