Luanët e detit gjejnë ‘rrugën’ për të hyrë në rezervatin e salmonëve dhe shfarosin prodhimin (fotot)

08/04/2022 19:49

Dhjetra luanë deti në perëndim të Kanadasë kanë kaluar javët e fundit duke u gostitur me peshk pa kufizim pasi janë infiltruar brenda rezervateve industriale të salmonit dhe refuzojnë çdo sinjal për t’u larguar.

Cermaq, kompania e mbarështrimit të peshkut me degë në Norvegji, Kili e Kanada, tha se predatorët dinakë kanë arritur të shmangin rrjetat dhe gardhet elektrike në fund të marsit në një event masiv vërshimi në rezervatet e Tofino në rajoni kanadez të British Columbia.

Grupet vendase të mbrojtjes së kafshëve që kundërshtojnë rezervatet e peshkut, paralajmëronin se vetë luanët e detit janë të rrezikuar  sa më shumë kohë që të kalojnë në fermë.

“Pamë një luan deti që kapërcente gardhin duke kërcyer brenda rrjetës së varur mbi rezervat. Ngeci aty dhe u përpoq shumë për t’u çliruar,” tha Bonny Glambeck e një grupi mjedisor vendas. “Ka shumë litarë e tuba aty prandaj shqetësohemi se do të bllokohen”.

Dekadën e fundit raportohet se më shumë se 100 luanë deti kanë ngordhur të bllokuar në rrjetat e peshkimit, siç ka ndodhur dhe me një balenë gungaçe, thonë aktivistët, duke theksuar rreziqet që rrjetat e rezervateve përbëjnë ndaj botës së gjallë.

Kompania thotë se në rezervat ka dalje nëse “grabitësit” dëshirojnë të largohen, por oferta duket se është refuzuar nga luanët e detit.

Në vitin 2016, pas një hyrjeje të ngjashme të kafshëve në rezervatet e Cermaq, autoritetet dhanë leje për të vrarë luanët e fokat e detit, por grupet e mbrojtjes thanë se ka kërkesa strikte për të mos vrarë asnjë prej luanëve të detit.

Ferma e peshqve mund të mbajë deri në 500,000 salmonë Atlantiku dhe në mars ka nisur procesi i vjeljes së tyre kur erdhi dhe vizita e luanëve të detit.

FOTO GALERI
1/3
Dhjetra luanë deti në perëndim të Kanadasë kanë kaluar javët e fundit duke u gostitur me peshk

Top Channel