Manos Daskalakis ka dhënë detaje të reja për lidhjen e tij me Roula Pispirigou dhe rrethanat e vdekjes së Irisit.
Në dëshminë, e tij, sipas Protothema.gr, Daskalakis ka konfirmuar se nëna e tre fëmijëve e kishte tradhtuar dhe se kjo ishte arsyeja se përse ishte larguar nga shtëpia.
“U largova nga shtëpia sepse mora vesh se gruaja ime kishte gjetur një burrë tjetër, gjë të cilën ajo ma konfirmoi”, mësohet të ketë thënë ai para trupës gjykuese.
Ai ka treguar se pasi vajza e vogël, Iris po ndihej keq, ai e kishte gjetur Roulën (nënën e fëmijëve) duke i bërë masazh kardiak për ta sjellë në jetë.
Daskalakis dëshmoi ndër të tjera se e ka gjetur Georginën duke bërtitur “mos ma merr motrën” dhe Roulën duke bërtitur “Nuk të lë të largohesh.”
“E kapa Irisin nga këmbët dhe ishte ngrirë dhe më pas erdhi ambulanca. Fëmija ynë u mor me ambulancë”, ka thënë babi i fëmijëve të ndjerë.
Tri vajzat e familjes të moshës nga gjashtë muaj deri në nëntë vjeç, ndërruan jetë në një hark kohor prej 2 vitesh në mënyrë misterioze. Pispirigou u akuzua pasi testet toksikologjike zbuluan praninë e ketaminës, një anestezi e përdorur kryesisht nga veterinerët në Greqi, në trupin e vajzës së saj të madhe Georgina, e cila vdiq në janar. Një hetim paraprak është hapur edhe për vdekjen e dy vajzave të tjera të Pispirigou dhe atë të pronares së shtëpisë në Patras në vitin 2020.
E dyshuara kryesore i mohon të gjitha fajet, ndërsa ndodhet pas hekurave.
Top Channel