50 persona humbën jetën pas një sulmi me raketa në stacionin e trenit të Kramatorskut, në lindje të Ukrainës, në momentin kur aty gjendeshin rreth 4000 mijë persona dhe pikërisht në ditën kur drejt Kievit ishin nisur kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe shefi i Politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Pavlo Kyrylenko, kryetari i rajonit të Donetsk tha se 5 nga 50 viktima ishin fëmijë, ndërsa shtoi se 98 të tjerë janë plagosur rëndë, ndaj numri i viktimave mund të shtohet në vijim.
Kreu i kompanisë shtetërore hekurudhore të Ukrainës tha se një nga dy sulmet e kryera nga Rusia të premten ra në një zonë ngjitur me stacionin Kramatorsk duke rrezikuar të gjithë njerëzit që ishin përreth.
Forcat ruse po bombardojnë të gjitha stacionet, të gjithë infrastrukturën hekurudhore” dhe po bëjnë “çfarëdo që munden për të ndaluar programin e evakuimit të civilëve”, thanë autoritete ukrainase.
Presidenti Zelensky e përshkroi sulmin e rusëve si “një e keqe që nuk njeh kufij”, ndërkohe që edhe ndërkombëtarët e kanë dënuar njëkohësisht sulmin vdekjeprurës.
“Pa forcën dhe guximin për t’u përballur me ne në fushën e betejës, rusët tani, në mënyrën po cinike po e kthejnë urrejtjen e tyre nga popullata civile. Kjo e keqe nuk ka limite, e nëse nuk ndëshkohet, nuk do të ndalet kurrë”, u shpreh Zelensky.
Kramatorsku ishte një nga të paktët stacione që kanë vazhduar të operojnë në këtë pjesë të vendit, dhe shihet si një prej rrugëve kyçe për evakuimin e civilëve nga rajonet lindore të Ukrainës.
Top Channel