Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka uruar homologun e tij serb, Aleksadar Vuçiç, për fitoren në zgjedhjet presidenciale të 3 prillit, si dhe fitoren e partisë së tij, Partia Përparimtare Serbe.
Në bisedën telefonike, të zhvilluar të mërkurën, u tha se Putini i ka uruar Vuçiçit “fat dhe suksese në postin e tij si president i shtetit dhe përparim të Serbisë në pesë vjetët e ardhshme, me bindjen se Serbia dhe Rusia do t’i ruajnë raportet e vërteta miqësore”.
Sipas një deklarate të publikuar në faqen e Presidencës serbe, Vuçiç e ka falënderuar për urimet dhe ka përsëritur deklaratat që kishte dhënë edhe në natën e 3 prillit se Republika e Serbisë do të vazhdojë të ndjekë politikën e rrugës evropiane, duke ruajtur marrëdhëniet tradicionale miqësore me Rusinë.
Në njoftim thuhet se të dy presidentët e kanë analizuar situatën ekonomike dhe raportet dypalëshe në fushën e energjisë dhe tregtisë.
“Presidenti Vuçiç e njoftoi Putinin për vështirësitë, me të cilat po përballet Serbia gjatë importit të naftës së papërpunuar dhe shprehu besimin se udhëheqja e Gazpromneftit dhe Republikës së Serbisë, si dhe partnerët e BE-së, do të gjejnë një rrugëdalje nga situata e tillë”, thuhet në njoftimin e Presidencës serbe.
Top Channel