Ambasadorja amerikane Yuri Kim bëri publike detaje nga takimi me kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla në kryesinë e Kuvendit.

Temë e diskutimit ishte rritja e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA-së dhe vijimi i zbatimit të reformës në drejtësi.

“U takova me drejtuesin grupit parlamentar të PS për të diskutuar rritjen e bashkëpunimit gjatë kremtimit tonë të njëqindvjetorit; vazhdimi i zbatimit të reformës në drejtësi duke respektuar rolin institucional të Parlamentit“, tha Kim.

Takimi me Ballën në kryesinë e Kuvendit, pason atë të një dite më parë me kryetarin e komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj dhe dy ditëve më parë me kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

Takimet kryhen ndërsa Kuvendi pritet të nisë procedurat për zgjedhjen e Presidentit të Ri, proces i cili zyrtarisht duhet të nisë më 24 maj dhe brenda 7 ditëve, duhet të mbahet votimi i parë.

Takimi mes  Kim dhe Alibeajt kishte një përfundim të qartë nga pala amerikane.

 “Le të vazhdojmë së bashku përpara, jo mbrapa!”, ishte mesazhi i Kim në Twitter fill pas takimit, duke nënkuptuar se “e shkuara e PD-së”, pra Sali Berisha duhet të lihet pas.

Lidhur me takimin në zyrën e kryeparlamentares Nikolla, Top Channel mësoi se për më shumë se 60 minuta në zyrën e kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, qëndruan Taulant Balla, Elisa Spiropali dhe Damian Gjiknuri, të mandatuarit e Ramës për të udhëhequr procesin e përzgjedhjes së kreut të ri të shtetit.

Burime nga ty takim pohuan gjithashtu se qëllimi i bisedës ishte përcaktimi i dy kalendarëve të punës. Atë të hapave që do të ndërmarrë grupi parlamentar socialist dhe kuvendi. Top Channel mësoi se këtë takim është dakortësuar dërgimi i ftesës për t’u përfshirë në konsultime i tre kryetarëve të tre grupeve parlamentarë të opozitës.

Javën e shkuar, Sali Berisha deklaroi publikisht se nuk do të votohet asnjë kandidaturë e propozuar ose e ardhur nga PS duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë dhe një lloj dialogu, por e ftuar në emisionin “Top Talk” në Top Channel, ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e përjashtoi mundësinë e negociatave me Berishën për zgjedhjen e presidentit të ri.

Për zgjedhjen e kreut të Shtetit, kushtetuta ka parashikuar 5 raunde votimi. Në tre të parat nevojitet një shumicë prej tre të pestash. Ndërsa në dy raundet e fundit presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA