Kur të ftuarit e vizitonin Vladimir Putin në zyrën e tij në Kremlin, ai u tregonte raftet e librave dhe i kërkonte të zgjidhnin një libër nga biblioteka e Josif Stalinit. Gjysma e librave të Stalinit – zakonisht të shënuara nga vetë udhëheqësi sovjetik me stilolaps të kuq ose jeshil – mbeten në zyrën e Putinit.
Siç më tha një nga ministrat e tij, Putin u kërkonte vizitorëve të hapnin librin, dhe ata do të shihnin së bashku shënimet që kishte lënë Stalini. Tek disa kishte ndonjë pasthirrmë ironike:“Ha-ha-ha”. Ndonjëherë ndonjë shprehje përbuzjeje. Dhe tek të tjerët kishte vetëm një fjalë. Kështu Stalini kishte shkruar fjalën “mësues” në biografinë e Ivanit të Tmerrshëm.
Sot njerëzit në mbarë botën po pyesin nëse Putini është Stalini i ri. Karl Marksi tha dikur me shaka se “historia përsëritet dy herë, herën e parë si tragjedi dhe pastaj si një komedi”. Në fakt nuk është, por çdo sundimtar rus përballet me disa nga të njëjtat çështje si carët e mëparshëm Romanov dhe sekretarët e përgjithshëm të Partisë Komuniste.
Shumica e liderëve rusë kanë aspiruar të imitojnë arritjet e dy sundimtarëve më të shquar modernë, Pjetrit të Madh dhe Stalinit, të dy carë revolucionarë, dhe që të dy vrasës brutalë. Unë shpresoj që një ditë Rusia të qeveriset nga dikush që nuk e admiron asnjërin prej tyre. Megjithatë Putini nuk është një Stalin. Stalini ishte marksist, ndërsa Putini është një tiran i shekullit XXI, që ndonëse ka kopjuar elementë të Romanovëve dhe imperializmit sovjetik, është një populist dhe nacionalist, një praktikues i politikave të identitetit të këtij shekulli, që e përdor ende armët e modës së vjetër, po ashtu edhe armët e reja të teknologjisë së lartë si mediat sociale.
Megjithatë ndikimi i Stalinit është i çimentuar kudo në strukturën shtetërore të Rusisë. Represioni i Putinit në Rusi i ngjan gjithnjë e më shumë tiranisë staliniste, në kultin e saj të frikës, në tubimet e shfaqjeve patriotike, shtypjen e protestave, gënjeshtrat e pacipa dhe kontrollin total të medias, edhe pse pa internime dhe pushkatime masive.
Deri më sot. Dhe kjo nuk është diçka e habitshme pasi shteti modern rus që formoi Stalini në fillimin e viteve 1920, nuk u shpërbë kurrë në turbulencat demokratike të viteve 1990. Pavarësisht nga fasada e tij demokratike, ekzekutivi rus mbeti një autokraci në të cilën presidentët – të ngjashëm me carët e hershëm – zgjodhën pasardhësit e tyre siç kanë bërë Boris Jelcin dhe Putin.
Organizata e sigurisë e themeluar nga Lenini, ÇEKA, e formuar dhe e mikromenaxhuar nga Stalini, e njohur me një sërë shkurtesash të zymta – OGPU, NKVD, MGB, KGB, FSB, u nda nga presidenca në kohën e Jelcinit, por nuk u çmontua asnjëherë.
Si një ish-nënkolonel i KGB-së, Putin është një “çekist” krenar. Pastaj është Ukraina, një vend që u shtyp brutalisht nga Stalini, dhe që sot është sulmuar nga Putin. Presidenti rus ndan një pjesë të vendosmërisë së Stalinit për të likuiduar me çdo kusht kombësinë dhe pavarësinë e Ukrainës.
Dallimet midis të dyve janë po aq të mëdha sa edhe ngjashmëritë. Por ndoshta janë ngjashmëritë, ato që kanë sot rëndësi. Në shumë aspekte Stalini e ka lënë në hije jetën e Putini. Në vitin 1952, kur Stalinit i kishte mbetur një vit jetë, Putini lindi në Leningrad në një Bashkim Sovjetik multi-etnik të skalitur nga Stalini, arritjet e të cilit e dominuan botën e Putinit.
Me një kosto njerëzore të tmerrshme, Stalini e shndërroi pa mëshirë BRSS në një forcë të industrializuar, mundi Hitlerin, sulmoi Berlinin, pushtoi Evropën Lindore dhe e bëri Rusinë një superfuqi bërthamore. Fitorja e vitit 1945 u bë ngjarja që e justifikon autokracinë e Putinit sot.
Putini i ka lavdëruar arritjet e Stalinit, duke theksuar se “që nga viti 1924 deri në vitin 1953, vendi që sundoi Stalini, ndryshoi nga një shoqëri agrare në një shoqëri industriale”. Sa i përket Luftës së Dytë Botërore ai është shprehur se “askush tani nuk mund të hedhë gurë mbi ata që organizuan dhe qëndruan në krye të kësaj fitoreje”.
Ai e sheh Stalinin si një titan me të meta, i lindur për revolucione si Oliver Kromuelli apo dhe Napoleoni. “Stalini ishte një produkt i kohës së tij”- i tha Putin regjizorit të Hollivudit, Oliver Stoun. “Historia angleze ka Kromuellin… Napoleoni është pothuajse një zot në Francë. Historia është e mbushur plot me personazhe të tillë”- shtoi ai.
Stalini dhe Putin ndajnë besimin se autokracia, e mbështetur nga imponimi, është mënyra më e mirë për të menaxhuar Rusinë. “Rusët kanë nevojë për një Car”- thoshte Stalini. Edhe Putin bie dakord me të. Të dy janë të fiksuar pas historisë. Sa herë që Putin takon historianët, ai i pyet “Si do të më gjykojë historia?”.
Historia është vazhdimisht e pranishme për të dy. Kur ish-ambasadori amerikan në Bashkimin Sovjetik, U.Averell Harriman, e uroi Stalinin për pushtimin e Berlinit, ai u përgjigj:“Po, por Aleksandri I pushtoi Parisin”. Por edhe dallimet janë mbresëlënëse. Stalini ishte një gjeorgjian, i lindur me mbiemrin Xhugashvili. Putin, i lindur në Leningrad, e theksoi që në ditët e para të pushtimit të Ukrainës “Unë jam një rus!”. Stalini ishte një marksist fanatik internacionalist; ndërsa Putin beson në “botën ruse”, duke filluar që me konvertimin ortodoks të Vladimirit të Madh në vitin 1918.
Ai e përbuz ideologjinë marksiste, duke besuar se revolucioni leninist shkatërroi perandorinë ruse. Duke iu shmangur komunizmit, ai promovon kapitalizmin Kremlin-KGB. Stalini, i cili nuk kishte asnjë interes për paratë dhe kishte vetëm disa uniforma (megjithëse i pëlqente përdorimi i pallateve të rehatshme) do të ishte i neveritur nga vulgariteti i jahteve dhe avionëve të ultra të pasurve rusë.
Stalini jetoi për 20 vjet si revolucionar i fshehtë, brenda dhe jashtë burgjeve dhe Siberisë. Putin i ngjiti shkallës e karrierës si një operativ i vogël i KGB-së në kohën e stanjacionit monumental të burokracisë sovjetike.
Stalini besonte se socializmi mund të përhapej vetëm përmes vrasjeve dhe terrorit. Stalini vrau deri në 20 milionë njerëz të pafajshëm; 18 milionë u futën në në gulagët e tij; dhe shumica prej tyre nuk u kthyen më kurrë në shtëpitë e tyre.
Putin përdor atentate kirurgjikale, edhe pse shpeshherë spektakolare, duke preferuar helmet ekzotike. Edhe pse arritjet e Stalinit, u shoqëruan me një kosto të papranueshme, Putin tha në vitin 2017 në dokumentarin e Stoun se “demonizimi i tepruar i Stalinit, është një mjet për të sulmuar Bashkimin Sovjetik dhe Rusinë”.
Edhe pse komunizmi nuk ekziston më, forcat e policisë sekrete të Stalinit janë të paprekura dhe mbeten një element qEndror në mbretërimin e Putinit. Stalini kooptoi qëllimisht kulturën kriminale ruse në ÇEKA, duke e personifikuar vetë lidhjen gangster-bolshevik.
Ai fitoi mbështetjen e Leninit duke organizuar grabitje bankash me një bandë mafiozësh dhe psikopatësh për të financuar Partinë Komuniste. Kur një marksist idealist iu ankua Leninit për dhunën e Stalinit, ai u përgjigj:“Ky është lloji i njerëzve që na duhet!”.
Putin ka një lidhje të veçantë me shërbimet sekrete. Gjyshi i tij Spiridon Putin ishte një kuzhinier që filloi punë në hotelin Astoria në Shën Petersburg, ku gatuante për Rasputinin. Më pas iu bashkua “stafit të shërbimit” të OGPU/NKVD që punonte në vilat shtetërore, duke i shërbyer Leninit dhe Stalinit.
Si një student i ri në fakultetin juridik, Putin iu bashkua KGB-së në vitin 1975. Gjatë mbretërimit sklerotik të Leonid Brezhnjevit (1964-1982), KGB nën drejtimin e të talentuarit Juri Andropov ishte e vetmja organizatë që e ruajti prestigjin e saj. Në vitin 1991 Putin ishte duke punuar si nënkolonel i KGB-së në Drezden të Gjermanisë Lindore kur u shemb Bashkimi Sovjetik.
Ai u rikthye në shtëpi i dëshpëruar. Kur u ngjit në pushtet si kryeministër në dhjetorin e vitit 1999, ai u besoi mbi të gjitha “çekistëve”. Miku i tij i vjetër dhe ish-drejtori i FSB-së, Nikollai Patrushev, që tani është sekretar i Këshillit rus të Sigurimit, ka deklaruar në një rast se oficerët e KGB-së:“nuk janë në punë për paratë… ata janë fisnikëria e re”.
Por është një fisnikëri me etikën e një gangsteri. Siç e pranoi edhe Putin kur sulmoi çeçenët: “Ne do t’i vrasim ata edhe në shtëpitë e tyre!”. Ata që e tradhtuan këtë “urdhër fisnik”, si Aleksandër Litvinenko dhe Sergei Skripal do të likuidoheshin, ashtu si Stalini vrau Trockin dhe shumë të tjerë.
Libri i vizitorëve të Stalinit, zbulon se ai kalonte çdo ditë shumë orë me shefat e tij të policisë sekrete. Të dy diktatorët u dehën nga fitoret. Asnjëri nuk ishte i çmendur, por bindja e të qenit i pagabueshëm është një patologji e rrezikshme.
Në moshën 69-vjeçare, Putin është në të njëjtën moshë me Stalinin kur ai bllokoi Berlinin. Edhe në një epokë kur informacioni është i disponueshëm lirisht në internet, Putin është po aq i izoluar sa idhulli i tij. Pas 20 viteve të suksesshme diktaturë, i fshehur në rezidencën e tij në Novo-Ogaryovo, i tmerruar nga Covid-i, i distancuar nga miqtë e tij dikur të besuar, dhe i mashtruar nga një fiksim i deformuar fetishist nacionalist ndaj Ukrainës, Putini e ka keqkuptuar fatalisht patriotizmin pasionant dhe rezistencën e guximshme të ukrainasve.
Por në Rusi, të rinjtë modernë rusë, të mësuar prej kohësh me udhëtimet ndërkombëtare dhe mediat sociale, janë më pak tolerantë ndaj imperializmit irredentist. Ata po protestojnë me guxim. Mijëra prej tyre janë arrestuar; madje edhe elita e ka denoncuar luftën.
Dhjetëra mijëra rusë po nxitojnë të largohen nga vendi. Vendimi i Putin është “racional” brenda botëkuptimit të tij të shtrembëruar. Por ai është pjesë e një loje të madhe për të siguruar trashëgiminë e tij, për të ndryshuar rrjedhën e historisë dhe për të rivendosur një perandori ruse në këtë botë të re të ndërlidhur nëpërmjet teknologjisë së lartë.
Ndërsa kjo luftë mizore dhe sanksionet perëndimore po e dërmojnë shoqërinë ruse, terrori stalinist do të bëhet thelbësor për qëndrimin e Putinit në pushtet. Nëse humbet, ai mund të rrëzohet nga oborrtarët e tij – Carët dhe sekretarët e përgjithshëm janë rrëzuar zakonisht nga grushtet e pallatit dhe jo nga protestat – por ai edhe mund të mbijetojë, siç bëri Sadam Huseini pas dy humbjeve. Nëse do të fitojë, Putin do t’i bashkohet Pjetrit të Madh dhe Stalinit në histori. “Fitimtarët nuk gjykohen asnjëherë”- thoshte dikur Stalini./bota.al
Shënim:Simon Sebag Montefiore, historian i njohur britanik. Autori i librave bestseller si “Stalini:Në oborrin i Carit të Kuq”.
Top Channel