Fitoi zgjedhjet, Orban sulmon Zelenskyn: Presidenti ukrainas, kundërshtari ynë!

04/04/2022 10:38

Fjalimin e tij të fitores në zgjedhje, kryeministri nacionalist i Hungarisë, Viktor Orban, i cili siguroi një mandat të katërt në krye të qeverisë, e fokusoi tek kundërshtarët.

Në këtë përkufizim, Orban, që përpara votimeve ishte treguar i kujdesshëm ta dënonte pushtimin rus në Ukrainë, vendosi disa figura në Bruksel, por edhe Volodymyr Zelensky.

Ne kurrë nuk kemi pasur kaq shumë kundërshtarë..burokratët në Bruksel, mediet e mëdha ndërkombëtare dhe presidentin ukrainas. Fitorja imë gjigante mund të shihej dhe nga hëna, e ma do mendja, që e ka parë dhe Brukseli”, tha Orban.

Zelensky e ka kritikuar vazhdimisht ndalimin që Orbani i bëri transferimit të armëve në Ukrainë, me të cilën vendi i tij ndan një kufi.

Megjithatë, kryeministri hungarez, që ka lidhje të ngushta me Moskën, ka pranuar gjysmë milioni refugjatë që nga fillimi i luftës në shkurt. Partia e tij e djathtë Fidesz rezulton të ketë siguruar 53.1% të votave, shumica dërrmuese e të cilave tashmë janë numëruar.

Aleanca opozitare e udhëhequr nga Peter Marki-Zay ishte shumë prapa me 35%. Orbani 58-vjeçar ka pasur një marrëdhënie mjaft të vështirë me BE-në, e cila konsideron se Fidesz ka minuar institucionet demokratike të Hungarisë.

Në 12 vitet e tij në pushtet, udhëheqësi hungarez ka rishkruar kushtetutën, ka mbushur gjykatat e larta me të emëruarit e tij dhe ka ndryshuar sistemin zgjedhor në avantazhin e e vet. Gjatë fushatës, slogan i opozitës ishte “Orban ose Europë”. Gara ishte e ngushtë dhe nuk munguan shqetësimet për zgjedhje jo të ndershme, por shumë çështje të brendshme gjatë kësaj periudhe u lanë në hije, pasi vëmendja u spostua tek lufta në Ukrainë.

Top Channel