Britaniku blen shtëpinë €1 në fshatin në Itali, por nuk gjen ndërtues për ta rinovuar (fotot)

04/04/2022 17:56

Një britanik që bleu një shtëpi €1 në një fshat në Itali, iu kthye aventura e re në një makth pasi nuk gjeti punonjës rinovimi që të vinin aty për të bërë riparimet e nevojshme.

58 vjecari Danny Mcubbin, u vendos në shtëpinë e tij të re në Mussomeli, Siçili, kur shkoi aty nga Londra në vitin 2020.

Shtëpia e vendosur në qendrën historike të qytetit ishte në nevojë për një rinovim të plotë dhe Danny ishte gati të punonte për ta kthyer në shtëpinë e ëndërrave.

Zhvillimi vjen teksa dhjetra qyteza në zona rurale në Itali kanë ofruar shtëpi të braktisura për të huajt me qëllim të ndalojnë uljen e popullsisë së zonave.

Por zoti Mcubbin nuk e mendoi që mungesa e punonëjsve të ndërtimit në Itali do të ishte e tillë pas ligjit të qeverisë ndaj “rinovimeve ambjentaliste” të shtëpive.

Duke folur me rrjetin inews, Mcubbin, tha: “Ishte e vështirë të gjeje ndërtues dhe gjendja e shtëpisë vijonte të përkeqësohej”.

“Kur unë arrita të gjej kompaninë kosto e rinovimit ishte dyfishuar, dhe vendosa që nuk ia vlente më.”

Qeveria italiane ka ofruar së fundmi rinovime ambjentaliste për pronarët e shtëpive të shoqëruara me taksa e masa të ashpra për ata që nuk kryejnë procedurat e ruajtjes së energjisë dhe konstruksioneve anti-tërmete.

Prej valës së rinovimeve të kërkuara është dalluar një mungesë e theksuar punonjësish.

Kështu që Mcubbin u detyrua të kthente pronën te agjencia ku e bleu, por tani ka gjetur një tjetër projekt rinovimi me një shtëpi të lirë që bleu për €8,000 në Mussomeli.

Kësaj here ai kishte arritur të gjente dhe dy punëtorë që kryen një javë punë për të, mes projekteve të tjera më të mëdha.

Pasi shpenzoi rreth €5,000 në rregullimet, Mcubbin u vendos në shtëpinë e re dhe ka hapur një kuzhinë bamirësie në qendër të qytetit ku ofron ushqim për familjet në nevojë.

“Kam ardhur këtu në dhjetor 2020, sepse doja të jetoja në Itali kur ndodhi Brexit,” thotë ai duke iu referuar referendumit britanik që nxorri vendin nga BE.

“Gjithmonë më ka pëlqyer Siçilia dhe për t’u marrë me diçka hapa kuzhinën e bamirësisë në Mussomeli.”

Mcubbin thotë se i pëlqen jeta e qetë dhe të shkuarit në shtrat në 10.00 të darkës për t’u zgjuar herët në mëngjes, që është e kundërta e Londrës.

Ai thotë se ka shumë njerëz të tjerë që duan të përfshihen në projekte të tilla.

“Të huajt po blejnë shtëpi që nuk janë pjesë e skemës €1 por në të cilat mund të vendosesh menjëherë, ose me pak punë rinovimi, shumica e të cilave mund t’i kryejnë vetë”.

FOTO GALERI
1/4
58 vjecari Danny Mcubbin, u vendos në shtëpinë e tij të re në Mussomeli

Top Channel