Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani ka folur për Top Channel sapo ka hedhur votën e saj për zgjedhjet në Serbi.

Qytetarët nga Kosova kanë udhëtuar sot me autobus për të ushtruar të drejtën e votës sepse qeveria e Kosovës nuk e autorizoi mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të Serbisë edhe brenda territorit të saj.

E pyetur se si po shkon procesi, Sinani u shpreh: “Uroj që të gjithë qytetarët e komunës së Preshevës të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës për një proces të mbarë dhe demokratik. Lus që masivisht të shfrytëzojnë të drejtën e tyre.”

Sa i përket largimit të shqiptarëve nga lista e votuesve, Sinani zgjodhi të mos e komentonte gjatë duke qenë se është ditë zgjedhjesh.

“Meqë sot ditë feste, ditë e zgjedhjeve, do të kisha dashur që këtë temë ta bisedonim një ditë tjetër. Normal ne e kemi dënuar në vazhdimësi pasivizimin e adresave”, tha Sinani.

Në zgjedhjet parlamentare serbe marrin pjesë edhe partitë shqiptare, të cilat do të garojnë me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – me gjithsej 20 kandidatë.

E pyetur nëse pret përfaqësim më të mirë të shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, Sinani tha:

“Kjo është ndërhyrje në procesin zgjedhor. Sot qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës. Është e drejtë e tyre të vendosin ashtu sic e duan ata.”

Pas votimit ka bërë edhe një reagim në Twitter ku if ton qytetarët të ushtrojnë të drejtën e votës.

“Aktivizim kundër pasivizimit. Sot është dita. Dita kur si qytetar zgjedhim ata dhe ato që do të flasin dhe veprojnë në emrin tonë në parlament. Për deputet e deputete cilësorë dhe të rreshtuar drejt. Votoni”, shkroi Sinani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA