Shkarkohet anëtari i KOKSH! Genc Boga ikën pas kërkesës së anëtarëve të asamblesë

02/04/2022 15:21

Me kërkesë të 1/3 të Asamblesë së Përgjithshme, Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptarë mblodhi të shtunën një Asamble të Jashtëzakonshme duke pranuar kërkesën e mocionit të mosbesimit ndaj Genc Bogës, anëtarë të komitetit të KOKSH njëkohësisht edhe trezorier apo shef i thesarit, dhe ndaj anëtares tjetër të komitetit Tatjana Marashi e cila më parë kish dhënë dorëheqjen.

Rendi i ditës nuk parashikonte asnjë debat por kalimin menjëherë në procesin e votimit pas fjalës së presidentit të KOKSH, kjo solli edhe tensionimin e situatës, pasi Boga kërkoi shpjegime.

Drejtuesit e kësaj asambleje i sqaruan ish-trezorierit tashmë Genc Boga që kish patur afat 45 ditorë për të kërkuar sqarime në forume të ndryshme gjë që nuk e kish bërë dhe në këtë moment të procesin ishte tepër vonë.

I akuzuar si iniciator i këtij mocionit, Elez Gjoza, president i federatës së peshëngritjes sqaron arsye se përse e kish nisur këtë betejë.

“Është e vërtetë që e nisa unë pasi Boga bashkë me presidentin dhe sekretarin e mëparshëm të KOKSH kanë përjashtuar peshëngritjen nga lojërat mesdhetare duke përjashtuar një sport që sillte rreth 15 medalje. Faji për atë vendim që është kundër shqiptarëve jo vetëm ndaj federatës sonë nuk ishte vetëm i presidentit të shkuar dhe sekretarit por edhe i tij. Firmosën të tre”, thotë presidenti i  federatës së peshëngritjes.

Në përfundim të procesit Genc Boga u shkarkua me 45 vota pro dhe 13 kundra, ndërkohë që Tatiana Marashi me 46 pro dhe 12 kundra.

Këtë asamble ka të debatuar presidenti i KOKSH Fidel Ylli e sheh pozitivisht.

“Ku ka debate ka zhvillim. Boga dhe Marashi e dinin që do të shkarkoheshin pasi propozimet për mosbesimin e tyre ishin me shifra që arrinin 2/3 e asamblesë edhe pse do të mjaftonte vetëm 1/3”, thotë Fidel Ylli .

Aktualisht KOKSH ka një komitet ekzekutiv të cunguar pasi nga 11 anëtarë i mungojnë 4, për të cilët do të votohet në një datë që do të caktohet në ditët në vijim.

Top Channel