Ekspertizat e dyfishta, që shpesh kundërshtojnë njëra-tjetrën, për pallatet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit vazhdojnë të sjellin pasiguri te shumë qytetarë të Durrësit, veçanërisht me problemet e shumta që shfaqen gjatë procesit të rindërtimit. 

”Ka një akt ekspertizë nga Instituti i Ndërtimit që thotë ka ccarje themeli dhe unë kam dalë se nuk kam siguri për kokën, por ky grupi i punës thotë që nuk ka ccarje themeli. Atëherë këta duhet të na japin një shkresë për këtë. Pallati ka cedim, por këta thonë që ka ndodhur që kur është bërë pallati në 1982, ndërsa në dokumenta figuron ndërtim i vitit 1994. Themelet notojnë në ujë dhe ata po hedhin beton në ujë.”

”Sipas inxhinierëve, kolonat nuk bëhen në momentin kur janë në ujë. Duhet bërë një drenazhim që të kullojë uji, por dje firma ka bërë betonizimin e kolonave. E kanë hequr ujin me kova dhe kanë hedhur inerte, pasi nuk e kanë në projekt, sipas tyre, drenazhimin e ujit. Kjo është bërë pa praninë e mbikqyrësit të bashkisë. Ka shumë shkelje të tjera.”, shprehen banorët.

Ky pallat në zonën e ”Çezmës së ferrës” fillimisht u deklarua në një nivel dëmi DS2 dhe disa banorë përfituan grant prej 250 mijë lekësh për riparimin e dëmeve. Më pas u konstatua se dëmi ishte më i rëndë, në nivelin DS4 dhe pallati kishte nevojë për riforcim duke nisur nga kolonat. Sot ky riforcim po has në probleme të shumta.

”Mora grant dhe leje te bashkia. Mora dhe një kredi dhe tani më thotë zotëria, firma, që do të ndërhyjë dhe nuk i njeh shpenzimet që kam bërë se s’ka fonde për këtë.”

 ”As shikues nga bashkia që të ndjekë punimet nuk ka. Po na gënjejnë. Unë në këtë pallat nuk hyj. Duhet ndërhyrje kudo. Poshtë notojmë në ujë. Nuk kemi marrë as grant, asgjë. Duam vetëm shtëpitë tona.”

 ”Ne kërkojmë të bëhet drenazhim, ndërsa firma thotë se cdo gjë që prish sipër katit të parë është përgjegjësia juaj. Nëse firma s’ka fond të mjaftueshëm, mos ta marrë përsipër punën.”, thonë banorët.

Banorët e prekur nga tërmeti në çdo rast vijojnë të kërkojnë transparencë dhe cilësi e siguri për ndërhyrjet që po bëhen në pallatet e tyre, si dhe praninë e mbikëqyrësve të paguar për të ndjekur punimet në to.

Top Channel