Për shqiptarët, nga korriku, Europa do të jetë edhe më afër. Aeroporti i Rinasit do të ketë tre destinacione të reja për pasagjerët në Lyon të Francës, Nuremberg, Gjermani dhe Varshavën e Polonisë. Çmimet për këto destinacione fillojnë nga 20 euro.
Janë 9 avionë që tashmë bazën e kanë në Tiranë dhe fluturojnë direkt në 14 shtete nga Europa në Angli.
“Shqipëria ishte i vetmi vend që edhe gjatë pandemisë, njerëzit udhëtonin. Ne mendojmë se këtu ka ende shumë kërkesë për tu lidhur, për të udhëtuar. Jemi këtu për ta plotësuar këtë kërkesë. Do të shtojmë edhe më shumë frekuencën e udhëtimeve dhe linjat e reja”, tha Evelin Horváth, ushtruese e detyrës së oficerit të rrjetit në Wizz Air Group.
Për drejtorin e Aviacionit Civil, konkurrenca në tregun e lirë i ka kthyer në një domosdoshmëri udhëtimet me avion për shqiptarët.
“Një qytetar shqiptar që jetonte përkohësisht në Angli dhe donte të vinte për pushime verore në Shqipëri duhej të paguante 1 mijë paund. Kjo ishte alarmante për ne dhe mekanizmi që gjetëm për të zgjidhur problemin ishte hapja e tregut dhe konkurrenca, si dhe diversifikimi. Të ulnim varësinë nga aeroporti i Italisë”, u shpreh Maksim Et’hema.
Në statistikat e publikuara nga Aviacioni Civil Europian, Shqipëria rezultoi i vetmi vend që kishte njohur rritje eksponenciale të udhëtimeve gjatë pandemisë, ndryshe nga aeroportet e tjerë evropiane që u goditën rëndë.
Top Channel