Nëna e katër fëmijëve mes 20 të vrarëve nga kartelet në dyluftimin ilegal të gjelave në Meksikë (fotot)

31/03/2022 21:32

Një nënë e katër fëmijëve nga Chicago në SHBA, ishte mes 20 njerëzve të masakruar nga zjarri i karteleve të drogës në një event klandestin bastesh me dyluftime gjelash, të dielën në perëndim të Meksikës.

36 vjeçarja Melissa Silva, ishte një nga tre gratë që humbën jetën kur banditët sulmuan lokalin në qytezën e Zinapecuaro.

Gruaja lë pas katër fëmijë të moshave 10, 12, 17 e 18 vjeç.

Motra e saj, 16-vjeçarja Arleth Silva, u plagos në vendngjarje dhe po lufton për jetën, raporton rrjeti Univision.

Yalitza Silva tha se dy motrat e saj ishin me pushime me nënën e tyre në vendin e lindjes, megjithë një paralajmërim që autoritetet amerikane kishin lëshuar për udhëtimet në rajonin e Michoacán prej dhunës së krimit e pengmarrjeve.

“Nuk e imagjinoja që do të ishte një nga motrat e mia”, tha Yalitza Silva duke shtuar se nëna e tyre kishte qëndruar në hotel dhe kishte nxituar drejt vendngjarjes kur dëgjoi të shtënat dhe gjeti trupin e pajetë të Melissa Silva.

Sulmuesit duket se kishin planifikuar mirë sulmin, duke ardhur me një furgon të një kompanie ushqimi, sipas prokurorëve.

“Nga kamioni i kompanisë së ushqimit dolën disa njerëz të armatosur me veshje kamuflazhi ushtarak. Në të njëjtën kohë një autobuz që ishte jashtë ndërtesës u përdor si bllokadë, për të ndaluar që viktimat të largoheshin apo të thërrisnin policinë”, tha prokurori i Michoacán.

Autoritetet federal meksikane i atribuonin masakrën “një konfrontimi mes grupeve kriminale”.

Hetuesit e Michoacán kishin gjetur në skenën e krimit mbi 100 gëzhoja kalibër 7.62

Ata gjetën gjithashtu 15 automjete që i përkisnin viktimave, një prej të cilave kishte logon e një grupi kriminal vendas.

Michoacán ka qenë prej kohësh skena e përplasjeve mes karteleve lokale të krimit e trafikut dhe grupit më me influencë  në Jalisco. Në luftimet mes tyre janë përdorur bomba, dronë, mina dhe automjete artizanale të blinduara.

Dyluftimet e gjelave janë ilegale në shumë zona, por mbeten një zbavitje e preferuar në Meksikë, sidomos në perëndim të vendit.

Në vitin 2018, gjashtë njerëz u vranë nga kur sulmues të armatosur hapën zjarr në një grumbullim të ngjashëm në Chihuahua.

FOTO GALERI
3/7
20 njerëz u masakruan nga zjarri i karteleve të drogës në një event klandestin bastesh me dyluftim gjelash

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA