Patatet e skuqura, të lira e praktike, janë kthyer në element kryesor për kuzhinat e familjeve libaneze, por këtë radhë, për muajin e shenjtë të Ramazanit, ato ashtu si dhe ushqime të tjerë të rëndësishme, rrezikojnë të mbeten jashtë tryezës festive.
Arsyeja është rritja e ndjeshme e çmimit të vajit të lulediellit për shkak të luftës në Ukrainë.
Në Liban, thotë Reuters duke cituar Programin Botëror të Ushqimit, ku një krizë e thellë ekonomike i ka rritur çmimet e ushqimeve 11 herë që prej vitit 2019, ndikimi i spirales së fundit të çmimeve do të ndihet përgjatë gjithë muajit të Ramazanit, që nis në 2 prill.
Vaji konsiderohet përbërës kryesor për vaktet e njohura si “iftare”, që zakonisht përmbajnë pjata me oriz, mish e lloj-lloj gatimesh të shijshme, por që për t`u përgatitur, kërkojnë shumë vaj. Në Liban, aktualisht, një shishe vaj luledielli prej një litri është rreth 10 herë më e shtrenjtë se sa ishte tre vjet më pare.
Ulja e importeve ka detyruar një pjesë të supermarketeve t`i racionojnë shitjet në një shishe për klient. Nga Ukraina e Rusia varen më shumë se 80% të eksporteve globale të vajit të farave të lulediellit dhe çmimet për të u rritën me 64% brenda një jave të vetme në fund të marsit.
Muajin e kaluar, kur Rusia filloi pushtimin e Ukrainës, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) tha se indeksi i vajit vegjetal u rrit 8.5% duke mbërritur nje nivel te ri rekord.
Top Channel