Arrestimi i ndihmësve të Dumanit, në pranga partnerja 20-vjeçare dhe mjekët

31/03/2022 12:34

Shkon në 5 numri i personave të arrestuar si bashkëpunëtor të të akuzuarit për disa vrasje Nuredin Dumani. 

Në kuadër të operacionit policor “Arratia”, policia e Elbasanit në bashkëpunim me Renea-n arrestuan dy mjekë dhe një infermier të spitalit të Fierit si dhe shoqëruesen dhe një roje të Dumanit.

Personeli mjekësor i spitalit të Fierit do të përballen me akuzat “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Ndërkohë burime nga Policia e Elbasanit bëjnë me dije se gjatë marrjes në pyetje mjekët janë shprehur se nuk kishin dijeni për të shkuarën e Dumanit kur kanë pranuar mjekimin e tij në banesë.

Sipas tyre, një i njohur i përbashkët i ka kontaktuar për mjekim dhe ndërsa kanë bërë betimin e Hipokratit mjekimin s’mund t’ja mohonin,  por pa pasur dijeni për krimet.

Ndërkohë Henrik Hoxhaj, roja i Nuredinit dhe vajza kosovare akuzohen për “mbajtjen pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” si dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

5 të arrestuarit pritet të dalin para Gjykatës së Elbasanit ditën e premte për tu njohur me masën e sigurisë.

Po në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndaj shtetasit Nuredin Dumani, 35 vjeç, banues në Durrës, e cila i ka caktuar atij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan është duke hetuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, lidhur me dyshimet për përfshirjen e shtetasit Nuredin Dumani, në vepra të tjera penale apo të lidhjeve të tij me aktivitetet kriminale, me qëllim dokumentimin me prova ligjore dhe zbardhjen e plotë të ngjarjeve për të cilat ka dyshime se ky shtetas mund të jetë autor.

Top Channel