Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Hungari shkrimtari György Dalos shprehet për një klimë të helmuar publike në vend dhe flet për pasojat e ndasive poltike dhe ndarjes sociale.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Hungari, dallimet mes kampeve të qeverisë dhe të opozitës duken të pakapërcyeshme. Polarizimi në vend është jashtëzakonisht i fortë. Publicisti György Dalos thotë se “atmosfera në Hungari është krejtësisht neurotike. Në vend sundon një luftë e ftohtë civile, që është doktrina zyrtare e sistemit Orban.
Termin “luftë e ftohtë civile” e ka përdorur disa vite më parë Kryetari i Parlamentit Laszlo Këver, i cili tha se në Hungari nuk ka konkurrencë demokratike, por sundon një luftë e ftohtë civile. Sipas György Dalos në Hungari politikisht ka “nga njëra anë një rrymë skeptike, nacionaliste dhe autoritare ndaj BE-së, dhe nga ana tjetër një rrymë jo nacionaliste që ka besim tek Europa dhe që natyrisht është disi më tolerante se rryma e parë. Fatkeqësisht, ndarja shoqërore që ka rezultuar prej këtyre rrymave është reale dhe ka arritur në një fazë shumë agresive. Nëse i pyet njerëzit sot në Hungari për ndonjë gjë, për një film të ri, për një libër të ri, çfarëdo qoftë, kjo ndarje e thellë del në pah menjëherë. Ky agresivitet helmon të gjithë klimën publike.”
Që në fillim të viteve 1990 në Hungari nisi të vërehej një ndarje e caktuar shoqërore në një kamp nacionalist dhe një kamp liberal. Por njerëzit mendonin se anëarësimi në BE dhe integrimi evropian do t’i zgjidhte thuajse të gjitha problemet e vendit. Mendohej se adoptimi i vlerave politike dhe morale të botës së lirë në Hungari do të çonte në lulëzimin e vendit. Por kjo nuk ndodhi. Dhe kjo vlen edhe për vendet e tjera të Bllokut Lindor. Kishte shumë pritshmëri dhe në një moment do të ndodhte ndarja e kampeve politike, thotë Dalos.
Agresiviteti helmon gjithë klimën publike
Sipas György Dalos mënyra e privatizimit të së ashtuquajturës pronë shoqërore, është shkaku i thuajse të gjitha konflikteve në vendet postkomuniste të Bllokut Lindor pas viteve 1989/90. Në Hungari, si kudo tjetër, u krijua një grup i fortë që mori në zotërim pjesën më të madhe të kësaj prone dhe nisi edhe diferencimi dhe ndarja shoqërore. Por deri në ardhjen në pushtet të qeverisë së Orbanit në vend nuk mbretëronte urrejtja e papajtueshme.
“Kur zotërinjtë flisnin dikur në parlament, dukej sikur ishin armiq për vdekje, por në mbrëmje ata takoheshin në kazino. Pra deri në orën 18:00 ishin armiq për kokë, por pas orës 20:00 nuk ishin më armiq. Politika e fronteve kokëforta si e ndeshim sot në Hungari është vepër e qeverisë së dytë të Orbanit, pra pas vitit 2010. Gjatë kohës së qeverisë së parë Orban, nga viti 1998 deri në 2002, mund të flisje ende me njerëzit e qeverisë, edhe nëse bisedat nuk ishin gjithmonë të këndshme.”
Ndasitë poltike pamundësojnë kompromiset
Sot sipas Dadalos politikanët e pozitës dhe të opozitës as që flasin me njëri-tjetrin. Kjo gjendje ka fituar nje dinamikë të vetën dhe ndasitë në politikë funksionojnë tani pavarësisht luftrave politike mes partive. Dadalos kërkon që “lufta e ftohtë civile të ndalet dhe që në shoqëri të kthehet ekuilibri.” Sipas tij dy blloqe politike mund të vazhdojnë të ekzistojnë, por ato duhet të gjejnë mundësinë që të bëjnë kompromise mes tyre. “Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, mendoj se nga pikëpamja strategjike, në Hungari do të fitojë ai që rivendos paqen.”
György Dalos, i lindur në Budapest në vitin 1943, është një nga shkrimtarët bashkëkohorë më të njohur hungarezë. Ai ka studiuar histori në Moskë dhe ka punuar si muzeolog dhe përkthyes në Budapest. Dalos është një nga bashkëthemeluesit e opozitës demokratike gjatë diktaturës komuniste në Hungari dhe që nga fundi i viteve 1960 atij iu ndalua t’i botonte veprat e veta në Hungari. Pas rënies së diktaturës ai ishte drejtues i Institutit Hungarez të Kulturës në Berlin. Dalos jeton në Berlin./DW
Top Channel