“Se kush e udhëheq Rusinë, nuk e cakton Biden”; Kremlini paralajmëron SHBA-në!

28/03/2022 14:42

“Se kush e udhëheq Rusinë, këtë nuk e vendos Biden. Deklarata e tij është shumë alarmuese. Do të vazhdojmë t`i monitorojmë komentet e tij e do t`i mbajmë shënim me kujdes”: përmes zëdhënësit Dmitry Peskov, Kremlini reagoi në këtë mënyrë ndaj pretendimeve të presidentit amerikan, i cili gjatë një fjalimi të zjarrtë të shtunën e quajti Vladimir Putinin “kasap” e tha se “ ai njeri nuk mund të qëndrojë më në pushtet”.

Kaq u desh që ky pohim të pasohej nga reagime të forta, të cilat e detyruan Shtëpinë e Bardhë të dilte me sqarimin se “presidenti nuk po bënte thirrje për ndryshimin e regjimit në Rusi.

 “Ajo që donte të thoshte Presidentit ishte se Putini nuk mund të lejohet të ushtrojë pushtet mbi fqinjët e tij apo rajonin”, tha një zyrtar i lartë amerikan, duke shtuar se “Biden  nuk po vë në diskutim pushtetin e Putinit në Rusi, apo ndryshimin e regjimit.”

Presidenti francez Emmanuel Macron u distancua menjëherë nga komentet e Biden, duke paralajmëroi kundër “përshkallëzimit” verbal me Moskën.

 “Unë nuk do t’i përdorja ato fjalë,” tha ai, ndërsa theksoi se “duhet bërë gjithçka për të ndaluar përshkallëzimin e situatës” nëse do të ketë ndonjë shpresë për të ndaluar luftën e Rusisë në Ukrainë.

Top Channel