Pesë punonjëse të një kompanie gjermane që operon në tregun shqiptar në prodhimin e sistemeve kabllore janë paraqitur mesditën e sotme pranë urgjencës spitalore në Durrës me simptoma helmimi.
Nuk kanë qenë të vetme. Edhe punonjëse të tjera kanë paraqitur simptoma të ngjashme dhe janë dërguar nga përgjegjësit e tyre në shtëpi.
Ne kërkuam të kontaktojmë me ta në lidhje me situatën e krijuar e cila, sipas vetë punonjëseve deklarohet se është shkaktuar nga dezinfektimi për brejtës i ambienteve të kësaj fabrike. Drejtuesit e saj nuk pranuan të prononcohen në lidhje me situatën për të cilën po heton policia dhe prokuroria.
Sipas mjekëve të shërbimit të urgjencës, gjendja shëndetësore e 5 punonjëseve të moshës 26 deri në 41 vjeç, është jashtë rrezikut për jetën dhe nën kontroll të plotë, ndërkohë që do të jenë analizat toksikologjike dhe hetimet e mëtejshme që do të përcaktojnë shkakun e helmimit.
Ky nuk është rasti i vetëm i helmimit të punonjësve në ambientet e punës. Në disa raste të ngjashme, simptoma asfiksie dhe helmimi kanë paraqitur edhe punonjëse të disa fasonerive në Durrës.
Top Channel