“Beogradi është i hapur të mirëpresë palën ruse dhe ukrainase të negociojnë në qytetin tonë”, kështu ka deklaruar presidenti serb Aleksandër Vuçiç në një emision televiziv në Serbi mbrëmjen e së hënës.

Deklarata e Vuçiçit vjen në një kohë kur delegacionet kanë mbërritur tashmë në Stamboll të Turqisë për bisedimet e së martës.

Pas shumë raunde negociatash, Rusia nuk po kërkon më që Ukraina të “denazifikohet” dhe është e gatshme ta lejojë Kievin të bashkohet me Bashkimin Evropian nëse mbetet i paangazhuar ushtarakisht, sipas katër personave të përfshirë në diskutime.

Moska dhe Kievi po diskutojnë një armëpushim si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme që do të përfshinte heqjen dorë të Ukrainës për anëtarësim në NATO.

Draft dokumenti i armëpushimit nuk përmban asnjë diskutim për tre nga kërkesat kryesore fillestare të Rusisë: “denazifikimin”, “çmilitarizimin” dhe mbrojtjen ligjore për gjuhën ruse në Ukrainë, shtojnë burimet.

Ukraina dhe Perëndimi ndërkohë mbeten skeptikë për qëllimet e Putinit, duke u shqetësuar se presidenti rus mund t’i përdorë bisedimet si justifikim për të rikarikuar forcat e tij të lodhura tashmë në dy muaj luftë dhe për të planifikuar një ofensivë të re.

David Arakhamia, kreu i partisë së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në parlament dhe një anëtar i ekipit negociator të Kievit, i tha FT se palët ishin afër marrëveshjes për garancitë e sigurisë dhe ofertën e Ukrainës në BE, por tha se duhet pasur kujdes në lidhje me perspektivat për një përparim të mundshëm të forcave ruse në terren.

 

 

 

 

 

Top Channel