“Nuk ka mungesë gruri”, Krifca mbledh bordin e monitorimit të çmimeve

27/03/2022 18:38

Vendi nuk ka mungesa të grurit, ndërkohë që Importuesit thonë se kontratat e çliruara me Serbinë dhe anijet që kanë ardhur nga vendet jashtë kanë rritur stoqet.

Ata zhvilluan këtë të diel një takim me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, ku është diskutuar mbi çmimin e miellit deri më datën 10 Prill.

Lajmi i mirë është që kemi tregje të hapura në të gjithë botën, pra tregjet janë rihapur dhe kjo na jep një hapësirë tjetër për blerje nëse ato nevojiten. Lajmi tjetër i mirë është që sjellja konsumatore është ribalancuar, është stabilizuar dhe kështu kemi mundësi që të kemi një zinxhir tregtar shumë më normal se ai paniku i parë që solli një destabilitet në treg”, u shpreh ministrja Krifca.

Tashmë Rumania, Hungaria dhe Bullgaria i kanë rihapur tregjet.

Ministrja Krifca, si anëtare e bordit të monitorimit të çmimeve ka takuar gjithashtu edhe importuesit e inputeve bujqësore në vend, ku është dakorduar mbi marzhet për çmimet e uresë, DAP, fosfat, nitrat, por çmimi i këtyre produkteve nuk është bërë publik.

Top Channel