Ndihmë “nga lart”? Përmbytje rreth Kievit, bllokohet avancimi i trupave ruse

25/03/2022 13:15

Pamjet satelitore tregojnë përmbytje të mëdha nga lumi Irpin në basenin në veriperëndim të Kievit.

Nuk është ende e qartë se çfarë e shkaktoi këtë fenomen, ishte natyror apo bëhet fjalë për një lëvizje strategjike për të bllokuar avancimin e trupave ruse drejt kryeqytetit ukrainas, por po funksionon. Pranë basenit, ndodhet një rezervuar shume i madh.

Ky mund të jetë shembull i një lufte “hidrike” të Ukrainës për të mos lejuar përparimin e ushtrisë së Moskës drejt Kievit, thonë disa analistë për Washington Post. Sipas CNN, nëse forcat ruse nuk e kalojnë dot lumin Irpin, nuk do të jetë në gjendje ta marrin Kievin nga perëndimi.

Sipas shërbimeve britanike të inteligjencës, që prej fillimit të luftës në 24 shkurt, trupat ruse kanë lëvizur drejt Kievit nga veriu, perëndimi dhe nga lindja . Marrja e tij shihet si objektivi kryesor i Rusisë në pushtimin e Ukrainës, por rezistenca e ashpër ukrainase, i ka prishur planet e Moskës.

Të martën, ushtria e Ukrainës rimori  Makariv, një qytet në perëndim të Kievit, duke i dhënë një tjetër goditje ambicieve të Rusisë për të nisur një sulm ndaj kryeqendrës së shtetit fqinj nga veriperëndimi. Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Ukrainës thotë se Moska po ndërmerr veprime për të zhvendosur me forcë mijëra banorë të qytetit port nën rrethim, Mariupolit, drejt Rusisë.

Sipas autoriteteve ukrainase forcat ruse kishin marrë 6,000 banorë të qytetit dhe i kishin dërguar në ato që i quajtën kampet ruse të filtrimit, me qëllim që t’i përdorin si pengje e për të ushtruar më shumë trysni politike mbi Ukrainën. Ministria e Jashtme u shpreh e shqetësuar për fatin e rreth 15,000 personave nga një rajon i Mariupolit nën kontrollin e forcave ushtarake ruse. Kievi tha se trupat ruse po u konfiskonin atyre dokumentet e identitetit dhe po këmbëngulin që ata të niseshin drejt Rusisë.

Top Channel