7 gjeneralë rus të vrarë, ukrainasit fitojnë terren në Kiev. Rusia ndryshon strategjinë

25/03/2022 22:23

Rusia duket se po zvogëlon ambiciet e saj për luftën, e cila tashmë ka hyrë në muajin e dytë.

Ministria e Mbrojtjes tha se faza e parë e operacionit të saj ushtarak ishte “përgjithësisht” e përfunduar, duke u shprehur se tani do të fokusohen në “çlirimin” e rajonit lindor të Donbasit .

Kjo deklaratë shënon një ulje të objektivave dhe vjen menjëherë pasi ministria e mbrojtjes e Rusisë pranoi se 1,351 ushtarë rusë kanë vdekur që nga fillimi i të ashtuquajturit “operacion ushtarak special” në Ukrainë. Por Inteligjenca amerikane vlerëson se shifra re ale ka të ngjarë të jetë mbi 7,000.

Nga ana tjetër beteja të premten vazhdoi jashtë Kievit, ku sërish forcat ukrainase ruajtën përparësinë. Raportet nga inteligjenca e Mbretërisë së Bashkuar thanë se forcat ukrainase kishin rimarrë qytete dhe pozicione mbrojtëse deri në 35 km në lindje të Kievit. Po ashtu raportohet se të paktën 7 gjeneralë rus janë vrarë deri tani.

Situata në Mariupol mbetet e rëndë. Kreu i ekipit të OKB-së atje tha se kishin informacion  për varreza masive, ndërsa Zyrtarët vendas thanë se të paktën 300 njerëz u vranë në bombardimin e 16 marsit në Teatrin e Dramës.

Ndërsa në Kharkiv thuhet se civilët janë sulmuar gjatë marrjes së ndihmës humanitare. Nga ana tjetër  Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e tjera perëndimore besojnë se forcat ruse tani po vuajnë nga morali gjithnjë e më i dobët pasi po pësojnë humbje të mëdha në luftime.

Top Channel