Emrat/ Arrestohen 4 zyrtarë dhe ish zyrtarë në Kadastrën e Sarandës, dhanë certifikata pronësie në zonat bregdetare

24/03/2022 16:43

Tre zyrtarë dhe një ish zyrtar i Kadastrës së Sarandës kanë rënë në prangat e policisë pasi kishin lejuar ndërtimin pa leje në Sarandë dhe Ksamil.

Gjatë operacionit “Heshtja 2”, u arrestuan shtetasit  Andri Dhima, 34 vjeç, ish drejtor i ASHK Sarandë, Vasil Lango, 37 vjeç, përgjegjës i Sektorit të Hartografisë dhe dy hartografët pranë ASHK Sarandë të identifikuar si Saimir Braho, 32 vjeç dhe Erliton Ymeri, 37 vjec.

Ndërkohë u shpall në kërkim bashkëpunëtorja e tyre, Kozeta Statha, 34 vjeçe, lindur në Sarandë dhe banuese në Bolonja, Itali, me detyrë ish-drejtoreshë e ASHK Sarandë.

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë.

Si rezultat i këtij operacioni, është bërë i mundur dokumentimi i plotë ligjor i aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e ndërtimeve pa leje, në Sarandë dhe Ksamil, si dhe janë ekzekutuar masat e sigurisë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Katër zyrtarët dhe ish zyrtarët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën duke pajisur në mënyrë të kundërligjshme, me certifikata pronësie, disa shtetas, për pasuri, tokë dhe prona, në zonat bregdetare të qytetit të Saradnës dhe të Ksamilit.

Materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel