Nëntë shtetas janë vënë në hetim në Vlorë për vepra të ndryshme penale.

Punonjësja e kompanisë për prodhimin e dokumenteve të identifikimit, 34-vjeçarja me iniciale E.B. është proceduar penalisht për “Falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”. Ajo dyshohet se ka kryer në mënyrë të parregullt procedurën e aplikimit të pajisjes me pasaportë për një shtetas.

Për “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Shpërdorim të  detyrës” u vu nën hetim administratore e Njësisë Administrative Qendër Vlorë, 51-vjeçarja me iniciale M.K. një shtetas e ka denoncuar, pasi pretendon se M.K. ka futur dokumente të falsifikuara, në dosjen e pronësisë së tij.

Po nga këto shërbime u proceduan penalisht për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, shtetasit: B. C., 47 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”, E. A., 38 vjeçe, banuese në lagjen “Isa Boletini” dhe B. Xh., 56 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë, pasi ushtronin aktivitete tregtare në subjekte të paregjistruara në organet tatimore dhe nuk kryenin deklarimet e të ardhurave.

Për zjarrvënie të qëllimshme janë proceduar shtetasit  L. L., 40 vjeç, D. B., 47 vjeç dhe A. J., 41 vjeç, pasi kanë ndezur zjarre në vende të ndryshme dhe për pasojë janë djegur bimësi dhe shkurre.

Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Himarë proceduan penalisht për veprën penale “Kanosja”, shtetasin F. Z., 42 vjeç, banues në fshatin Borsh, Himarë, pasi ka bërë kallëzim shtetasi S. G., 61 vjeç, banues në fshatin Borsh, Himarë, se 42-vjeçari e ka kërcënuar.

Top Channel