E premtja e datës 25 mars është caktuar si ditë zie në Kosovë, në nder të mikes së Kosovës, Madeleine Albright, ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, që u nda nga jeta një ditë më parë.

Në shenjë respekti shtetëror, dita e premte, datë 25 mars 2022, shpallet ditë zie në Republikën e Kosovës për të kujtuar miken e madhe të Kosovës, Madeleine Albright e cila u nda nga jeta dje. Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, thotë Presidentja e Kosovës  Vjosa Osmani.

Me vendim të Presidentes Osmani, flamujt shtetëror ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Vlerësimet kanë vërshuar sot për Madeleine Albright, sekretarja e parë femër e shtetit amerikan në histori qe ende sot njihet si “kampionia e demokaracisë”. Emigrantja çeke që u shndërrua në një veterane të politiëks së jashtëm të Shteteve të Bashkuara dhe që u ngjit deri në nivelin e kryediplomates në 1997-tën në qeverinë Clinton, u shua në moshën 84-vjeçare nga sëmundja e kancerit. SHBA e kujton si politikanen që ndihmoi administratën e atëhershme amerikane të ravijëzonte një botë post-sovjetike, shqiptarët e kujtojnë si miken e tyre, dhe si një figurë instrumentale për t`i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë.

Në vitin 1999 Albright mbështeti me forcë dhe këmbënguli për operacionin e NATO-s kundër Serbisë në konfliktin e Kosovës, edhe pa mandat të OKB-së, për t’i dhënë fund masakrës ndaj shqiptarëve. Gjatë kësaj kohe ajo u takua edhe me ministrin e Jashtëm gjerman Joschka Fischer, i cili më vonë u bë mik i saj.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, shkroi se “jeta e Madeleine Albright ishte personifikim i ëndrrës amerikane – ngritja nga refugjate në Sekretaren tonë të parë të Shtetit. Udhëheqja e saj e guximshme në Ballkan shpëtoi jetë të panumërta. Përparimi i Kosovës është një nderim i vazhdueshëm për trashëgiminë e saj”, u shpreh ai.

Top Channel