Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes zvarritjen e hetimeve dhe gjykimit për shkaktaren e një aksidenti të ndodhur në datën 2 shkurt 2021, ku një person humbi jetën dhe një tjetër është e paralizuar dhe po lëngon në shtrat.

Zaime Zdrava, nga fshati Dëshiran i Belshit, iu drejtua emisionit investigativ duke kërkuar ndihmë për shpejtimin e gjyqit, pasi nuk ka lekë të kurohet. Mjekët i kanë rekomanduar që të kurohet jashtë Shqipërisë, pasi nëse nuk shkon në kohë, rrezikon të mbetet e paralizuar përjetë. Pas aksidentit, Zaimja ka qëndruar 12 ditë në koma dhe plot 4 muaj në spital, ku i është nënshtruar 4 operacioneve. Por, sërish ajo qëndron e paralizuar, pasi ka dëmtuar shtyllën kurrizore.

“Mjekët më kanë rekomanduar të tjera ndërhyrje. Jam vetëm 43 vjeçe, nënë e dy vajzave. Burri pa punë dhe jetojmë me këto lekët e kempit. Nuk dua që të futet asnjë në burg, po vetëm të shpejtojnë këto gjyqe që edhe unë të marr ato lekë që më takojnë dhe të kurohem jashtë Shqipërisë” thotë me lot në sy Zaimja, e cila ka dhënë dëshmi vetëm një herë, kur është marrë në pyetje nga oficerët e Policisë Gjyqësore në banesën e saj, në fshatin Dëshiran të Belshit.

E aksidentuara thotë se autorja e aksidentit, nuk ka bërë asnjë ditë burg dhe është liruar, ndërkohë që një person është futur në dhe’ dhe ajo po lëngon në shtrat, për faj të saj. Autorja është hetuar dhe aktualisht po gjykohet me masën e arrestit shtëpiak. Fiks Fare ka siguruar dosjen hetimore për këtë aksident, ku të gjitha aktet e nxjerrin fajtore drejtuesen e mjetit.

Sipas një dokumenti, eksperti kriminalist ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Ndërkohë, sipas këtyre fotografive që po shikoni, automjeti ka udhëtuar në krahun e kundërt. Viktima dhe motoçikleta kanë qenë në kanalin në krahun që ata lëviznin. Mjeti që shkaktoi aksidentin ka qenë me dokumente të rregullt, me siguracion dhe kolaudim. Ndërkohë, për ngjarjen janë bërë disa akte ekspertimi. Por edhe sipas kësaj skice, automjeti udhëtonte në krahun e kundërt, teksa përplasi motomjetin. Madje, në vendngjarje nuk janë gjetur gjurmë frenimi të automjetit.

Eksperti Mikel Caku shkruan se “shkak determinant për ndodhjen e aksidentit kanë qenë shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor nga shtetësja Arjola Gjata, drejtuese e automjetit”. Ndërkohë, për të fituar kohë, mbrojtja e autores kërkoi riekspertim. Dy ekspertët Sefer Venari dhe Qani Xhafa dolën në konkluzionin se “mos mbajtja e krahut të djathtë të lëvizjes si dhe mos veprimi i menjëhershëm me sistem frenimi, shtetësja Arjola Gjata është shkaku kryesor i ndodhjes së aksidentit”.

Në datën 18 shtator 2021, Prokuroria e Elbasanit e Elbasanit ka dërguar çështjen në gjykatë. Në akt akuza shkruan se “autorja, Arjola Gjata, ka qenë duke lëvizur në krah të kundërt”. Në fund, prokuroria ka faktuar se drejtuesja e mjetit ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor me pasoja të rënda, 1 i vdekur dhe 1 i plagosur.

Por, nga data 18 shtator 2021, kur është dërguar dosja në gjykatë, e deri në ditët e sotme, Gjykata e Elbasanit ka zhvilluar vetëm 2 seanca gjyqësore. Seancat shtyhen gjithmonë për shkak të palës tjetër, nuk shkon avokati, sëmuret e pandehura, apo për arsye të tjera. Nëse do të përfundonte gjyqi i fajësisë së aksidentit Zaimja do të kishte mundësi të kërkonte dëmshpërblim dhe me ato lekë të kurohej. Por, ndërkohë ajo pret duke u lënguar në shtrat gjykatën që të përfundojë këtë çështje.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel