Presidenti Putin është kujdesur shpesh të heqë një paralele mes Kosovës dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
Ai e përmendi Kosovën edhe kur Rusia njohu Pavarësinë e dy rajoneve separatiste në Lindje të Ukrainës dhe nisi ofensivën drejt Kievit.
Propaganda e Rusisë që tenton të vendosë barazinë mes Krimesë dhe Kosovës ku u ushtrua gjenocid i pastër ndaj shqiptarëve ka qenë permanente. Edhe ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov, është kujdesur të përmendë disa herë Kosovën, deklarata që shihen si kërcënim por edhe justifikim mbi agresionin ndaj Ukrainës.
Zgjerimi i konfliktit përtej kufijve të Ukrainës shihet me shqetësim edhe në Ballkan, ku interesat e Rusisë dhe lidhjet e saj me Serbinë janë tepër të forta. Përgjatë muajve të fundit, në kufirin me Kosovën është parë një prezencë e forcave ushtarake serbe. Me shqetësim është parë edhe armatimi i Serbisë me avionë luftarakë dhe mjete të tjera të blinduara të siguruara nga Rusia.
“Është e pamjaftueshme për të bërë një luft në ekspansion. 13 mijë ushtarë rus kanë humbur jetën. Është një luftë e pamenduar mirë. Efektet domino, është tërësisht e pamundur për orekse territoriale të Serbisë ndaj Kosovës. Kosova është ende protektoriat ndërkombëtar nga NATo dhe BE” u shpreh ishzyrtari i policisë, Shemsi Prençi.
“Ballkani në pikpamjen time nuk është i kërcënuar nga pikpamja territoriale. Po të shikojmë sjelljen e Serbisë, ka rritur buxhetin e mbrojtjes vitet e fundit dhe pyetja shtrohet pse i duhet rritja e buxhetit të mbrojtjes Serbisë mbi nivelet e nevojshme për të garantuar sigurinë në Ballkan. Serbia është duke pritur një moment të rëndësishëm ose situatën e konfliktit ose parashikonte një situatë të mundshme ndoshta do të ndryshonte gjeopolitika ballkanike dhe influenca ruse në Ballkanin Perëndimor” u shpreh Artur Meçollari, Ish-Komandant i Flotës Detare.
Top Channel