Në kërkim ndërkombëtar nga Luksemburgu për vjedhje me dhunë, kapet 40-vjeçari shqiptar

23/03/2022 10:33

Një 40-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Luksemburgu, për vjedhje me dhunë është arrestuar në në pikën e kalimit kufitar midis Shqipërisë dhe Malit të Zi në Muriqan.

Bazuar në informacionet e dhëna nga FAST Albania, në bashkëpunim dhe me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Shkodër, u bë e mundur kapja, nga FAST Montenegro, e shtetasit P. N.(Ll.), 40 vjeç, lindur në Vrith të Shkodrës.

Tashmë vijojnë procedurat për ekstradimin e tij për në Luksemburg.

Njoftimi i plotë nga FAST Albania

Vijojnë operacionet e përbashkëta ndërmjet FAST Albania dhe homologëve, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.  Finalizohet operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Montenegro”.  Operacioni u zhvillua nga FAST Albania, në bashkëpunim me FAST Montenegro, FAST Luxembourg dhe Drejtorinë  Rajonale të Kufirit Shkodër.  Kapet një 40-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Luksemburgu, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. Në vijim të operacioneve të përbashkëta të zhvilluara javët e fundit, nga FAST Albania, në bashkëpunim me homologët, për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, një tjetër operacion është finalizuar falë bashkëpunimit  të sukseshëm ndërmjet FAST Albania dhe homologëve.

Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë, ndërmjet FAST Albania, FAST Montenegro dhe FAST Luxembourg, si dhe shërbimeve të Pikës së Kalimit Kufitar Muriqan, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar në kërkim, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Montenegro”. Në kuadër të operacionit, në territorin e Malit të Zi, në pikën e kalimit kufitar midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, bazuar në informacionet e dhëna nga FAST Albania, në bashkëpunim dhe me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Shkodër, u bë e mundur kapja, nga FAST Montenegro, e shtetasit P. N.(Ll.), 40 vjeç, lindur në Vrith, Shkodër, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore në Luksemburg, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. Ndaj këtij shtetasi u ekzekutua, nga autoritetet policore të Malit të Zi, urdhër arresti ndërkombëtar i lëshuar nga autoritetet ligjzbatuese të Luksemburgut dhe vijojnë porcedurat për ekstradimin e tij për në Luksemburg.

Top Channel