Fiks Fare/ “Karteli” i inputeve bujqësore trefishon çmimet, fermerët:  Drogë po të mbjellim, falimentojnë!

23/03/2022 20:40

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së mërkurës një skandal me rritjen e çmimeve, ku kësaj herë të prekur janë qindra mijëra fermerë, të cilët duhet të paguajnë trefish për inputet bujqësore.

Në një kohë “lufte”, siç e cilësojnë politikanët dhe shtetarët, fermerët po shkojnë në falimentim dhe emigracion, duke braktisur tokën e tyre për të punuar në emigrim. Gazetarët e emisionit investigativ udhëtuan në hambarët e bujqësisë Shqiptare, përkatësisht në Lushnje, Berat dhe Fier. Fermerët, të cilët po qëndrojnë në radhë për të marrë një pikë naftë falas, ankohen për çmime të larta, duke ua vështirësuar punën dhe jetesën.

Fillimisht, gazetarët udhëtuan në fshatin Samaticë, të Bashkisë Dimal. Pronari i një ferme, i cili kishte 40 krerë lopë dhe viça, ishte i shqetësuar për ecurinë e mëtejshme. Sipas tij, kostoja e ushqimit për lopë ishte shtrenjtësuar, pasi baza kryesore vinte nga importi sidomos nga Serbia. duke filluar prej një viti por këto tre muaj janë rritur edhe më shumë. Ndërkohë, një familje tjetër bujqësore, u ankua për inputet bujqësore, teksa djali i familjes po mendon që të largohet nga Shqipëria. Ndërkohë, një blegtor tjetër, pas rritjes së çmimeve, po menton që ta mbyllë fermën. “Do t’i therë lopët dhe viçat. S’ia dal dot. Ureja ka shkuar 130 mijë lekë kuintali, nga 50 mijë që ka qenë vjet. Po ashtu edhe dapi, nga 50 në 130. Ndërkohë, nitrati ka shkuar në 105 mijë lekë, nga 40 që ka qenë” thotë ai.

Pas Dimalit, kamera e Fiks Fare shkoi në fshatrat e Lushnjes, ku sërish fermerët kanë të njëjtin problem: çmimet e larta! Një fermer, që kishte mbjellë 7 dynymë elb, thotë se me çmimet e punimit të tokës, frezimit, mbjelljes, plehërimit, spërkatjes, korrjes apo edhe bluarjes, nuk ia vlen më që të mbjellësh. Një tjetër, që e ka mbjellë grurë, thotë se dalin vetëm me humbje. “Fitim kam vetëm kashtën në fund. Këtu s’po llogaris krahun e punës” thotë ai. Kryesisht, edhe në këtë rresh, ankesat janë për çmimet tepër të larta të dapit, uresë dhe nitratit, që janë bazë për grurin, misrin, jonxhën, perimet e shumë kultura të tjera bujqësore.

Pas këtyre ankesave, gazetarët pyeten në disa dyqane që shesin këto inpute. Pronarët dhe punonjësit tregojnë se rritja ka ardhur nga grosistët, të cilët e kanë trefishuar çmimin. “Kanë pasur rritje nga 10 deri 15 %, por edhe nga TVSH-ja” thotë një tjetër. Ndërkohë, Fiksi pyeti edhe një farmaci bujqësore në qytetin e Shijakut, të cilët thanë se pritet ende rritja. “Unë i kam blerë para disa muajsh, 1 kuintal ure e kam marrë me 60 mijë lekë. Tani është dyfishi. Po i rrisin përditë çmimet” thotë punonjësi.

Ndërkohë, Fiks Fare bëri një krahasim të çmimeve të disa inputeve bujqësore. Vitin e kaluar, 1 kuintal dap ka qenë me 52 mijë lekë të vjetra, sivjet 120-130 mijë lekë. I njëjti çmim edhe për urenë, ndërkohë nitrati nga 40 mijë ka shkuar në rreth 100 mijë lekë. Superfosfati nga 22 mijë vjet, në 36 mijë në 2022, ndërkohë që rritje kanë pësuar edhe plehrat e serës, të gjitha në masën 10 %.

Por, kush i sjell në Shqipëri këto inpute bujqësore?! Në datën 17 mars, në foltoren e Parlamentit, deputeti Erion Braçe, tha se 1 kuintal ure apo dap, firmat e sjellin me 85 mijë lekë dhe e shesin me 130 mijë lekë. Ai denoncoi 3 inputet bujqësore, rritjen e çmimit të dapit, uresë dhe nitratit. Sipas Braçes, “janë dy-tri firma që bëhen bashke, në formë karteli, dhe vendosin çmimin”. Më tej pohoi se dapin dhe urenë i sjellin në Shqipëri firmat “Agro Blend” dhe “MBM”. Nitratin e sjellin firmat “Agrohelb” dhe “Besniku”. “Kanë mbi 95 përqind të tregut” shtoi ai, ndërsa vijoi se këto firma bashkëpunojnë me njëra tjetrën. “Nitrati shitet me 104 mijë lekë, vjen me 52 mijë lekë, rritje 100 %. Ureja dhe dapi shiten me 130 mijë lekë, vijnë me 87 mijë lekë” tha Braçe, duke paraqitur edhe faturat doganore që këto firma e importojnë në Shqipëri.

Gazetarët e “Fiks Fare” shkuan në pikat e shumicës që tregtojnë këto tre produkte, dap, ure dhe nitrat. Në pikën “Agro Blend” në Vore, punonjësi tha se malli që shitet është blerë disa muaj më parë. “Kemi pasur gjendje në magazinë” tha punonjësi, ndërsa tregoi se çmimi me shumicë është 125 mijë lekë kuintali. I njëjti çmim edhe për urenë. Ndërkohë, gazetarët shkuan në Kavajë, në pikën e firmës “MBM”. Punonjësit thanë se çmimi është rritur, ndërsa pas “pazarit”, pronarët e ulën vetëm 5 mijë lekë të vjetra kuintalin. Më tej, pronari tha se çmimet pritet të rriten. Gazetarët shkuan edhe në pikën “Agro Blend” në Kavajë, ku punonjësit tregojnë se kanë pasur gjendje. Ndërkohë, në firmën “Besniku”, në Maminas, pronari thotë se nitrati është rritur nga 40 deri në 100 mijë lekë të vjetra. Ai tregoi disa lloje uresh, ndërsa thotë se njëra prej tyre kushton plot 140 mijë lekë.

Top Channel