Rritet çmimi i naftës në 221 lekë/ Vendimi është marrë dje nga Bordi i Transparencës. U shpall sot

22/03/2022 15:16

Sot qytetarët e kanë blerë naftën rreth 18 lekë më shtrenjtë se një ditë më parë, në 221 lekë për litër.

Është ky vendimi i Bordit të Karburanteve që duket si iu ‘nënshtrua’ luhatjeve të bursës që është rritur sërish, duke mos ia dalë t’i mbajë çmimet të ulëta as për një javë.

Një ditë më parë, Top Channel përllogaritë se në bazë të metodologjisë që Bordi ndjek çmimi mund të arrinte në këtë nivel duke marrë parasysh rritjen që ka pësuar në tregjet ndërkombëtare.

Vendimi është marrë dje në mbledhjen e Bordit të Transparencës me dyer të mbyllura dhe i bërë publik zyrtarisht vetëm mesditën e sotme, teksa pikat e karburanteve kishin pasqyruar tashmë çmimet e reja herët në mëngjes.

Edhe benzina do të shitet më shtrenjtë në 211 lekë për litër, nga 206 lekë që ishte, produkt i cili shitej më shtrenjtë se nafta. Gazi vijon të tregtohet për 93 lekë litri, duke mos ndryshuar.

Këto çmime do të jenë të vlefshme deri të mërkurën, në mbledhjen e radhës së Bordit, por përballë këtij trendi shtrenjtimi në bursa kur një fuçi naftë shitet mbi 110 dollarë, gjasat për një ulje të çmimeve në tregun vendas duken të pakta.

 Kryeministri Edi Rama u kërkoi dje falje shqiptarëve për komentet në Facebook, sidomos sa i përket debateve për çmimet e rritura nga lufta në Ukrainë. Por, për të gjithë shqiptarët që sot kanë mbushur me naftë makinat, nëse jo falje për rritjen e re të çmimit, ka më shumë rëndësi transparenca se si merren këto vendime, në mbledhjen e një bordi, ku nuk lejohen as kamerat

Top Channel