Zv. ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeçi në një komunikim për mediet tha se vijon asgjësimi i pulave të ngordhura nga gripi i shpendëve në vend.

Gjeçi tha se deri më tani raportohet për 340 mijë pula të ngordhura, ndërsa janë 120 mijë pula të infektuara që pritet të asgjësohen. Ajo u shpreh se janë marrë masat në të gjitha vendet e prekura.

“Tamponimi i  zonës, baza materiale për veterineret, monitorimi në të gjithë Shqipërinë. Shërbimi po kryeson survjenancë në të gjitha fermat. Jemi në gatishmëri që Komiteti Kombëtar i Ushqimit është në terren për të garantuar produktet me origjinë shtazore. Kemi konfirmuar që i gjithë procesi është bërë konform legjislacionit”, tha Gjeçi.

Sipas ministres nuk ka rrezik për konsumatorët dhe se e vetmja gjë për të cilën duhet të frikësohemi është pakësimi i tufës së pulave.

“Ka kapacitete për t’i groposur, jemi në sezon, nuk pretendojmë të mos ketë, nuk ka panik për konsumatorin, nuk transmetohet përmes ushqimeve tek konsumuari. Groposja ishte e ndarë në dy kategori. Tashmë 340 mijë janë të ngordhura, 120 mijë janë për t’u asgjësuar.”

“Ka raste në Maqedoninë e Veriut dhe Greqi, sapo kemi marrë njoftimin filloi në zbatim plani i krehjes së zonës, u identifikua një pelikan i ngordhur në Prespë. Nuk ka rrezik për konsumatorët, por se ka pakësim të tufës së pulave”, tha Gjeçi.

Në disa prej zonave të infektuara rregullat e karantinës janë shkelur e vijojnë të shkelen, ndërsa është raportuar se procesi i groposjes po vijon nuk është konform standardeve të kërkuara për të siguruar izolim të virusit.

Sëmundja infektive influenca aviare rezulton të jetë përhapur gjerësisht dhe në fshatrat përreth stabilimenteve, ku fshatarët blejnë zakonisht zogj për mbarështim në oborret e tyre.

Gripi i shpendëve ka prekur disa prej zonave të vendit dhe jashtë saj, në Maqedoninë e Veriut dhe Greqi.

Durrësi është më i prekuri, ku në pak ditë kanë ngordhur mijëra pula. Një familjeje në Divjakë i ngordhën brenda natës 60 pula. Në zonën e Prespës janë gjetur tre pelikanë kaçurrel të ngordhur në liqen.

Për të shmangur kalimin e infektimit nga shpendët tek njeriu, këshillohet që blerja e produkteve të bëhet në njësitë e licensuara të shitjes dhe jo në rrugë.

Top Channel