“Pritet eliminimi i krerëve të gjallë, janë të rrezikshëm”/ AIBA reagon për gripin e pulave: Specialistët zbuluan se nuk ishte laringotrakeit

21/03/2022 16:46

Menaxheri dhe drejtuesi teknik i kompanisë të rritjes së shpendëve dhe prodhimit të vezëve, AIBA, ka sqaruar në një deklaratë për shtyp se si nisi gripi i shpendëve duke theksuar se po presin reagimin e qeverisë për eliminimin e pulave.

Menaxheri Artan Luku theksoi se e hodhën poshtë pretendimin për laringotrakeit që në fillim dhe me specialistë nga Italia e Hungaria dolën në konkluzionin se ishte influencë aviare H5N8. Ndër të tjera theksoi se po i mbajnë krerët gjallë se nuk kanë si t’i menaxhojnë por janë të rrezikshëm dhe presin nga momenti në moment që autoritetet të bëjnë eliminimin e tyre.

Luku sqaroi se kompleksi i tyre është i fundit që është infektuar dhe insistoi me specialistë të huaj që të zbardhte këtë proces pasi ndikon në shëndetin e njerëzve.

“I gjithë procesi ka nisur një javë më parë kur në mënyrë të çuditshme u rrit ngordhshmëria e pulave. Ne njoftuam autoritetet, të cilët dolën në konkluzion që kemi laringotrakeit. Që në fillim, duke u konsultuar me specialistët në Itali e Hungari e kundërshtuam prezencën e laringotrakeit dhe e njëjta gjë kishte ndodhur në 2 komplekse të tjera. Para 2 javësh, një kompleks ka asgjësuar pulat, pas kësaj edhe një kompleks tjetër dhe më pas shenjat filluan të shfaqen dhe tek ne.

Me insistimin tonë u arrit në konkluzion që kemi influencë aviare H5N8 që jo vetëm dëmton fermat por edhe shëndetin e njerëzve. Situata ka mbetur në ngërç ligjor mes Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Bujqësisë. Në dijen tonë, shtabi i emergjencës është mbledhur dhe po mundohen të gjejnë një vend për groposjen e karkasave. Pritet që në mënyrë imediate, Ministria e Bujqësisë dhe autoritete të tjera të japin urdhër për eliminimin e atyre krerëve që janë gjallë. Ne po i mbajmë krerët gjallë se nuk kemi si i menaxhojmë. Nëse do i hiqnim spinën, nuk kemi si i menaxhojmë sepse tani janë më të rrezikshëm krerët e gjallë.

Për raste të tilla mungon infrastruktura ligjore për groposjen. Për neve është shumë e rëndësishme që ky proces të jetë i hapur, të jetë transparent. Ne mendojmë që është më mirë të dalë e drejta se të fshehim një sëmundje dhe të jetë problem për shëndetin publik. Ne e kemi bllokuar tregun e vezës që del nga Xhafzotaj dhe atë që është shpërndarë do ia çojmë AKU. Aktualisht shpërndajmë vetëm nga kompleksi i Vlorës. Ne jemi sëmur të fundit dhe jemi profesionalisht shumë në rregull që insistuam të zbardhim këtë proces”, tha Luku.

Ndërsa drejtuesi teknik Armand Llolli u shpreh se situata është alarmante për shëndetin e popullsisë dhe tregoi se deri tani kanë ngordhur rreth 120 mijë pula.

“Asnjë nga autoritetet përkatëse nuk ka ardhur të marrë masa për eliminimin e tyre. Detyrën e ka shteti, autoriteti vendor. Flasim për alarmante se ndotja mjedisore është e lartë dhe masat i merr vetëm shtetit. Kanë filluar lëvizjet por shohim në vijim. Deri tani kanë ngordhur rreth 120 mijë pula për 4-5 ditët e fundit”, tha Llolli.

Top Channel