Pamjet nga një largësi prej 3 km për arsye sigurie tregojnë vetëm një pjesë të vogël të rrënojave që kanë mbetur pas një shpërthimi të fuqishëm mëngjesin e së hënës në Itea të Grevenasë, në një fabrikë që prodhon lëndë plasëse.
Ndërsa pamjet ekskluzive që ka mundur të sigurojë televizioni publik grek japin një imazh të qartë të kësaj ngjarje të papritur që është kthyer në tragjedi.
Shpërthimi ishte aq i madh sa gurët e mureve apo copa betoni dhe hekura nga ambientet e fabrikës janë hedhur deri në 300 metra larg dhe ai është ndjerë deri në një distancë prej 30 km deri në Kozan, ndërsa një re e madhe tymi është ngritur qindra metra mbi tokë.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar 11 zjarrfikës me 4 automjete, si dhe dy grupe të ekipit të emergjencave EMAK.
Megjithëse autoritetet nuk kanë nxjerrë njoftim zyrtar, deklaratat e zjarrfikësve që flasin se janë gjetur copa mishi pranë vendit të shpërthimit vërtetojnë faktin se tre punëtorë të konsideruar të zhdukur, kanë humbur jetën, ndërsa një roje sigurie është plagosur.
Ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit i cili jo vetëm rrafshoi fabrikën ku punojnë mbi 20 vetë, por edhe e shkatërroi krejtësisht.
Fabrika i përket kompanisë ELTEK e cila është themeluar në vitin 2010 dhe shtrihej në një sipërfaqe private prej 100 hektarësh me 14 objekte industriale, disa prej tyre nën tokë për arsye sigurie, depo me një kapacitet total prej 700 ton lëndë të parë dhe 200 ton eksploziv.
Top Channel