Festa e Sulltan Novruzit/ Mesazhi i Kryegjyshit Botëror: Dita ku çdo gjë rigjallërohet, lutemi për fundin e luftës

21/03/2022 12:02

Besimtarët bektashian në të gjithë botën kremtojnë nesër Festën e Sulltan Novruzit, “ditën e pranverës, të demokracisë së Natyrës, ditën e lindjes së Shenjtorit të madh të njerëzimit Imam Aliut, që luftoi për liri dhe emancipimin e shoqërisë njerëzore të kohës”.

Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e Tij Haxhi Dedë Edmond Brahimaj, në mesazhin për këtë ditë të shënuar, pjesë të lutjes së tij bën fundin e luftës në Ukrainë, që ndikimin e saj e ka në të gjithë botën:

Kjo është një ditë e shenjtë për të gjithë besimtarët kudo ndodhen. Është dita e Ekuinoksit Pranveror, dita ku çdo qenie e gjallë i falet Zotit. Besimtarët bektashian i luten Zotit për ditë më të mira, për paqe, dashuri, miqësi, dita ku çdo gjë rigjallërohet.

Mesazhi im për këtë ditë të shenjtë që të gjithë njerëzit t’i drejtohen Zotit për begati, të marrin energji pozitive për të përballuar të gjitha vështirësitë e kësaj bote, duke u lutur që lufta të mbarojë”.

Top Channel